Kryeministri Edi Rama i ka paraprirë sot në Kuvend, sulmit të paralajmëruar të opozitës për lidhjet e tij personale me krimin duke u hedhur në kundërsulm nga foltorja; PD-ja ka deklaruar këto ditë se ka fakte dhe do t’i prezantojë në Kuvend, lidhjet e Ramës me bandat kriminale, falë të cilave ai fitoi zgjedhjet në 25 qershor.
Por, Rama tha sot në seancë: ” Jemi ftuar sot në një diskutim që vetëm diskutim nuk ka shans të jetë. Javën e shkuar u mor peng kjo foltore për medemek të ndalimit nga ana e kryetarit të Kuvendit, për këtë diskutim, ndërkohë që nuk ishte kërkuar një diskutim i tillë. Sot është në rendin e ditës sepse u kërkua sipas rregullores. Harrojeni se normat e bashkëjetesës në këtë sallë do të shkelen nga bllokimet e foltores dhe çjerrjes. Po ju sot një diskutim nuk e bëni dot në kuptimin që ka kjo fjalë, në kuptimin demokratik. Jeni bërë shëmbëlltyra e asaj fjale që kush nuk di ta përdorë lirinë e fjalës, aq më shumë çirret se na mungon liria.
Na keni përfshirë edhe ne në çadrën e vjetër të konfliktit të sherrit dhe baltës. Siç jeni mësuar të bëni rëndom në kësi rastesh, lexoni një raport ndërkombëtar që e lexoni sipas qejfit dhe hallit tuaj, dhe sa më i madh të jetë halli juaj, aq më për qejf e lexoni ju për të treguar sesa mënxyrë qënkemi ne për shqiptarët.
Por, në raport shkruhet se në 25 qershor nuk ka vend për të diskutuar rezultatin dhe procesi ishte në përputhje me rekomandimet e OSBE. Ju keni zero lidershpi dhe e keni humbur çelësin e suksesit.”