Profesori dhe artisti i njohur Alban Nimani ka thënë se është sulmuar sot fizikisht në zyrën e prodekanit të Fakultete të Arteve në Prishtinë, nga profesori Mehmet Behluli.
Lajmin për këtë sulm, Nimani e kishte bërë përmes një reagimi që ka bërë në llogarinë e tij në Facebook.
Përmes këtij reagimi, profesori Nimani ka thënë se do të largohet nga UP.
Në një prononcim për Express, Nimani ka insistuar se ai është sulmuar me grushte nga profesori Behluli
“Nuk e di nuk ka pasur ndonjë arsye, vetëm se jam futur në zyrën e prodekanit kemi pasur një takim, ai ka qenë brenda me prodekanin dhe bërtiti pa asnjë arsye dil jashtë, mbylle derën në një takim me prodekanin , ai filloi të bërtiste, dil jashtë, unë i thash që nuk ka nevojë me ngrit zërin dhe pastaj sulmoi me grushte “, deklaroi Nimani.
Në anën tjetër, profesori i fakultetit të Artëve në Universitetin e Prishtinës Mehmet Behluli, mohon se e ka sulmuar fizikisht këngëtarin dhe profesorin Alban Nimani.
Ai për Express thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe se profesori Nimani po gënjen.
“Po rren Albani nuk po di çka me thonë tjetër. Unë kam qenë në zyre me prodekanin duke bërë një bisedë rreth mbarëvajtjes së mësimit, ai ka dashtë me hy brenda, prodekani i ka thënë të mos hyjë në zyre, unë kam shkua me mbyll derën, ai këtë e ka marrë si sulm. Po bëhet rast i panevojshëm
Ai ka hyrë me zor në zyre dhe kështu po mbrohet, nuk kam pas ndërmend as me akuzua, ai është frikësua dhe e ka bërë këtë të madhe”, deklaroi për Express profesori Behluli.
Ai thotë se nuk kanë pasur asnjëherë konflikt me njëri-tjetrin.
Për këtë sulm mes dy profesorësh është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“Policia është njoftuar për një incident mes dy personave. Ata janë intervistuar nga policia dhe janë liruar me procedurë të rregullt”, tha Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policisë rajonale të Prishtinës./Gazeta Express