Deputeti i PDK-së Nait Hasani i është kundërpërgjigjur në takim shefes së Zyrës së BE-së për Kosovën, Nataliya Apostolova e cila deklaroi se 25 milionë eurot që kanë ardhur ndihmë për Kosovën nga BE përmes IPA nuk janë kikirikë.
Hasani i tha Apostolovës se nuk bëri mirë që u shpreh ashtu pasi Kosova ka shumë qytetarë të saj në vendet e BE-së të cilët kontribuojnë atje, shkruan arbresh.info.
Ai ka kërkuar nga Apostolova që të mos e dallojnë Kosovën nga vendet e tjera kur është fjala për demarkacionin si kusht për vizat.
“Pse këtë kusht. Kushti i demarkacionit është politik”, ka thënë Hasani.
Deklaratave të Hasanit për kushtin për vizat i është kundërpërgjigjur menjëherë Apostolova duke i thënë se kriteret e përcaktuara për shtetet nuk janë politike dhe se nuk dëshiron të diskutoj më për këtë.
“Të gjitha këto kushte nuk janë politike dhe mendoj se nuk dua të diskutoj më për këtë. Çështja e demarkimit është ose po ose jo dhe ne këtu nuk mund t’ju ndihmojmë asgjë. Nuk ka mundësi që shtetet e BE-së të ndërrojnë mendim rreth demarkimit, këtë duhet ta bëni. Pyetni njerzit pse e kanë pranuar këtë kusht”, ka thënë ajo./arbresh.info/




















