Kalon afati i premtuar për pagat e veteranëve

E publikuar: 12/10/2017 11:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Veteranët nuk i kanë marrë pensionet. As nuk dihet kur do t’i marrin. Premtimet që po iu bëhen, vetëm po ndryshojnë ditët. Ndonëse ishte paralajmëruar që me 11 tetor do të jetë dita e fundit kur veteranët do t’i gëzojnë pagat e tyre, as në këtë ditë ata nuk arritën të paguhen nga shteti.

Kryetari i OVL e UÇK-së Hysni Gucati, në një prononcim për Sovrani.Info ka dhënë një ditë tjetër kur pritet të marrin pensionet. Ai tash po deklaron se të hënën veteranët mund t’i marrin pagat e tyre.

‘’..Unë kam thënë edhe po thom që i besoj fjalës së kryeministrit. Pensionet kanë me u marr, paret janë dal deri në janar. Edhe paret merren brenda këtij muaji. Paret veteranët kanë me i marr shumë shpejt brenda këtij muaji. Nëse s’gabojnë të hënën duhet me dal. Si të aprovohen paret dalin. Unë i besoj fjalës së kryeministrit që paret kanë me na i leshu edhe kanë me i marr pensionet për dy muaj’’, është shprehur Gucati.

Gucati ka folur edhe për akuzat që i janë bërë lidhur me keqpërdorimet me lista të veteranëve. Ai ka treguar se ka bërë një padi, derisa ka larguar tërë akuzat nga vetja.

‘’ Unë në komisione s’kam marrë pjesë kurrë . Unë e kom formu padinë ndaj asaj zojës. Falë zotit që tash gjykata dhe prokuroria kanë fillu hetimet, kështu që shihemi në gjykatë unë me atë zojën. 1 milion përqind kom dëshmi me i mohu këto akuza, me krejt qenien njerëzore që kam. Unë e kom ba padinë tash jam tu prit me u ballafaqu me atë zojën edhe ajo ka me i gjet individët kush i ka dhanë pare’’, ka thënë kryetari i OVL e UÇK-së.

Ndryshe, në Kosovë janë mbi 40 mijë veteranë që gëzojnë të drejtën e pensioneve. /Sovrani.Info