Këshilli i Lartë i Drejtësisë ngadalëson procesin e Vettingut

E publikuar: 12/10/2017 09:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërkohë që tre institucionet e përfshira në procesin e vettingut, përkatësisht ILDKP, DSIK dhe Prokuroria e Përgjithëshme janë drejt përfundimit të detyrës së tyre funksionale, me verifikimin e vetëdeklarimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, KLD nuk ka nisur ende nga puna.

Mosveprimi i institucionit të lartë të drejtësisë të drejtuar nga presidenti Ilir Meta është bërë shkak që të zvarritet i gjithë procesi, nga i cili varet edhe ngritja e institucioneve të tjera vepruese.

Sipas gazetës “Sot” mësohet se KLD vijon të jetë e paqartë lidhur me procedurat për kontrollin e formimit profesional të gjyqtarëve. Ajo që bie në sy është fakti se megjithse KLD ka ngritur një grup pune që po merret posaçërisht me vetingun, përsëri ky proces nuk po nis.

Për të harmonizuar veprimet Inspektorati i KLD-së ka tentuar të arrijë një marrëveshje mirëkuptimi me komisionerët e vetingut dhe ndërkombëtarët për të ndryshuar disi procedurat e verifikimit, gjë që ka hasur në kundërshtimin e tyre. Këta të fundit kanë këmbëngulur që gjithçka të veprohet sipas asaj çka parashikon ligji.