Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Ladrovci ka rrëfyer për Express sulmin që iu bë të hënën mbrëma nga persona të panjohur. Ai beson se sulmi ndaj tij ka ndodh për shkak se se të njëjtëve po u pengon zbatimi i ligjit dhe qeverisja e mirë. Ndërkaq, policia ka arrestuar një të dyshuar.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke folur për sulmin e djeshëm ndaj tij, thotë për Express se ngjarja ka ndodhur në fshatin Terrstenik pas takimit të pestë që ndodhi në atë vend. Siç u shpreh ai, atyre që po u pengon qeverisja e mirë në atë Komunë edhe po veprojnë ashtu.
“Mbrëmë kam pasur sulm dhe dëmtim të makinës, pas takimit te 5-te ne fshatin Trestenik. Vet pritja ne fshat nuk është prit mirë nga keqbërësit. Konsideroj se jam sulmuar nga persona qe ju pengon zbatimi i ligjit, transparenca dhe qeverisja e mirë”, u shpreh ai.
Lladrovci theksoi se është zotuar se qeverisja e tij do të vazhdojë dhe se asnjë presion nuk mund ta ndal punën e tij në këtë komunë.
“Unë jam zotuar dhe zotohem se qeverisja ime do te vazhdojë si deri sot si qeverisje shembullore dhe asnjë keqbërës as presion nuk mund ta ndale qeverisjen e mirë në Drenas. Unë nuk do te ndalem sepse jam zotuar edhe para qytetareve dhe ligjit se nuk zmbrapsem”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, për sulmin ndaj tij, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe ka arrestuar një person të dyshuar.
“Në orën 22:30 është hapur rasti kanosje dhe dëmtim prone. Rasti ka ndodhur në Terrstenik të Drenasit. Policia lidhur me këtë rast sot ka identifikuar dhe ka arrestuar një person të dyshuar”, tha Flora Ahmeti, zëdhënëse e PK-së./GazetaExpress/

















