Banka e dytë më e madhe në Katalonjë vendosi të largojë zyrat e saj nga rajoni separatist mes paqartësisë që rrethon ardhmërinë e tij në vazhdën e referendumit të shkëputjes dhe kundërshtisë së palëkundur të Madridit zyrtar.
Banco de Sabadell do të zhvendoset në qytetin spanjoll të Alikantes. Vendimi i saj erdhi në kohën kur banka më e madhe e rajonit dhe e treta në vend, CaixaBank, njoftoi dhe ajo largimin nga Katalonja. Të dyja këto lëvizje pasqyrojnë nervozizmin e komunitetit të biznesit në kohën kur marrëdhëniet mes Barcelonës e Madridit vazhdojnë të përkeqësohen.
Në përpjekje për t’i bllokuar Parlamentit katalanas shpalljen e pavarësisë, Gjykata Kushtetuese e Spanjës bllokoi seancën e saj të së hënës. Ajo paralajmëroi se çdo mbledhje që bie ndesh me këtë vendim, do të konsiderohet e pavlefshme e shtoi se po ta injorojnë urdhrin e saj, krerët parlamentarë mund të shkojnë në gjyq.
Qeveria rajonale do të mblidhet për të diskutuar reagimin ndaj këtij vendimi, por deri më tani, përgjithësisht, ajo nuk i ka marrë parasysh lëvizjet e gjykatës në fjalë, përfshirë këtu edhe urdhrin e pezullimit të referendumit.
Madridi zyrtar po kalon ditë të vështira sepse pas referendumit për mëvetësi në Katalonjë, shembullin e saj mund ta ndjekin edhe baskët në veri të Spanjës. Nuk dihet ende nëse separatistët e atjeshëm do të marrin hov nga zhvillimet në Katalonjë, por fakti mbetet që po e ndjekin situatën me shumë vëmendje.
“Dy popuj, një luftë” është një nga parrullat e hedhura prej studentëve në Bilbao, ku shumica e banorëve kërkon të njëjtën gjë: të vendosin vetë për pavarësinë

















