UBT-CERT organizon edicionin e dytë të aktivitetit për siguri kibernetike, “Hack Day Kosova 2017”

E publikuar: 06/10/2017 10:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve rreth rëndësisë së sigurisë kibernetike, nën kujdesin e UBT-CERT, në Kosovë do të zhvillohet edicioni i dytë i garës kibernetike treditore, “Hack Day Kosova 2017”, që do të zgjasë nga 12-14 tetor dhe pritet të marrin pjesë hakerë nga i gjithë rajoni.

Ngjarja fillon me pritjen dhe regjistrimin e pjesëmarrësve, gjithashtu do të bëhet edhe njoftimi me rregullat e materialin.

Këtë ditë do ta karakterizojë edhe aktiviteti social i quajtur “Ice breaker”, ku do të ftohen të gjithë pjesëmarrësit e regjistruar.

Ndërkaq, në ditën e dytë do të fillojë gara që do të vë në sprovë të gjitha njohuritë e pjesëmarrësve, teksa edicioni i dytë do të ketë risi tek skenari, me ç’rast pjesëmarrësit do të kenë mundësi hakimi të Wi-Fi infrastrukturës dhe hakimit fizik të PC-së.

Në ditën e fundit do të shpallen fituesit e kësaj gare, ceremoni kjo që do të pasojë me shpërndarjen e certifikatave dhe me ndarjen e çmimeve për fituesit.

Të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë aplikimin e tyre me të dhëna personale, si: emri, mbiemri, mosha dhe profesioni, në postën elektronike [email protected], deri të mërkurën e datës 11 tetor, ora 23:59.

Në konkurs mund të merrni pjesë individualisht ose me një grup prej 2-3 personash.

Aktiviteti ‘’Hack Day Kosova 2017’’, që organizohet nga UBT CERT, është pranuar në fushatën më të madhe të BE-së dhe po promovohet në kalendarin e ngjarjeve, që do të organizohen në kuadër të muajit Evropian të Sigurisë Kibernetike (ECSM), që fillon në muajin tetor.

Edicioni i parë u finalizua më 26 Nëntor 2017 dhe pati tre grupe fituesisht pjesë e të cilëve ishin: Agron HysenajRexhep Bërlajolli, Shkumbin Shala, Florian Konushevci, Kastriot Fetahaj, Rio Sherri dhe Enea Dedaj.

Fituesit e vendit të parë u shpërblyen me bursë studimi për të gjithë anëtarët shoqëruar nga trajnime dhe certifikime. Ndërsa anëtarët e grupeve fituese të vendit të dytë dhe të tretë përfituan trajnime dhe certifikime.