Hoti: Zhvillimet në Kataloni, do të kenë ndikim në 5 vendet e BE-së që s’e kanë njohur Kosovën

E publikuar: 05/10/2017 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas deklaratës së Bashkimit Evropian se “Referendumi i Katalonisë për pavarësinë e saj është i paligjshëm”, Serbia ka ngritur shqetësimet e saja.

Madje, ata edhe i kanë dërguar letër Bashkimit Evropian me kërkesën që të shqyrtohet edhe njëherë edhe vendimi për pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se rasti i Katalonisë me atë të Kosovës janë të njëjtë.

Mirëpo, kjo gjë është kundërshtuar nga BE duke deklaruar se këto dy raste nuk janë të njëjta dhe se Kosova është rast i veçantë “Sui Generis”.

Serbia insiston në këtë gjë, prandaj ajo ka paralajmëruar se po përgatisin një letër të madhe me anë të së cilës do bëjnë ankesë, duke krahasuar ngjashmëritë mes rastit të Katalonisë dhe Kosovës.

Por, kërkesa e Serbisë apo letra e tyre e dërguar për Bashkimin Evropian, do të mbetet vetëm në sirtar.

Kështu vlerëson, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, i cili në një prononcim për Indeksonline tha se kjo letër madje mund edhe thjesht të hedhet në shportën e bërllokut.

“Lidershipi serb, sikundër edhe në të kaluarën, ka provuar me perpelitjet e tija të e politizojë rastin tonë duke “argumentuar” hapjen e kutisë së Pandorës përmes pavarësisë së Kosovës. Kjo zaten po ndodh edhe tash me rastin e zhvillimeve të fundit në Kataloni të Spanjës. Nuk ka asnjë dileme që këto javë vetëm manovra politike serbe të cilat në fund të ditës, pos ‘pluhurit politik’, nuk do të prodhojnë asnjë efekt. Njohja e shteteve është Akt Juridik Ndërkombëtar i PAREVOKUESHEM që nënkupton që njohja nuk mund të jepet e merret sipas qejfeve dhe zhvillimeve të caktuara. Ajo mund të bëhet njëherë dhe përfundimisht. Shtetet mbase mund te ndërpresin marrëdhëniet e tyre mes vete, madje edhe të luftojnë por jo të tërheqin njohjet. Nëse ky do ishte rasti, atëherë rendi ndërkombëtar do i ekspozohej një rreziku dhe pasigurie të madhe. Prandaj mendoj se kjo letër do mbetet në sirtar e mbase edhe të hedhet në shportën e bërllokut”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, zhvillimet e fundit në Kataloni sipas tij do të kenë ndikim në pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën.

“Mendoj se zhvillimet në Kataloni do të kenë ndikim në pesë vendet e BE-së që  nuk e kanë njohur Kosovën. Sidoqoftë, këtu nuk ka alternative dhe opsion tjetër për kosovarët por qëndrimit të Komisionit Evropian që rasti i Kosovës është ‘Sui Generis’ dhe se përpjekjet për ta krahasuar apo baras-vlerësuar me raste të tjera janë të paqëndrueshme, joprofesionale dhe tendencioze”, ka shtuar ai.

Ndryshe, referendumi në Kataloni për pavarësi u mbajt të dielën. Megjithëse, ai po quhet si i paligjshëm nga Qeveria e Spanjës e po ashtu edhe nga BE, udhëheqësit katalonas kanë paralajmërua se gjatë javës së ardhshme mund të shpallet pavarësia./Indeksonline/