Në Greqi është kthyer në çështje politike problemi me tekstet mësimore që prekin tema të karakterit historik dhe gjeografik. Dy vendet kanë ngeitur prej vitesh një komision të përbashkët për rishikimin e teksteve dhe pastrimin e libra e shkollore nga përcaktimet irredentiste apo përmbajtjet me frymë nacionaliste.
Pala greke pretendon se ajo ka përmbushur kërkesat e palës shqiptare për pastrimin e teksteve, ndërsa ka bërë me dije se i ka kërkuar Tiranës zyrtare të rishikojë tekstin e Gjeografisë për klasat e 9 dhe 12, ku flitet për territore shqiptare në Greqi.
Zv/ ministri i Jashtëm, Yanis Amanatidis i thirrur në interpelancë për këtë çështje nga deputetët e Partisë “Grekët e Pavarur” tha se “Politika arsimore e Shqipërisë është e papërputhshme me vlerat e UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës në të cilën ajo është anëtare”, duke iu referuar librit të Gjeografisë që flet për “zona shqiptare në Greqi”. “Shteti shqiptar është i bllokuar në perceptime anakronike. Ne e kemi bërë të qartë se këto tekste janë të papranueshme dhe duhet të hiqen”-tha ai.
Amanatidis gjithashtu vuri në dukje se librat shkollorë do të jenë subjekt i takimit të radhës të Komitetit të Përbashkët Greko-Shqiptar të Ekspertëve – diçka që pala greke e ka kërkuar që në shkurt, por megjithatë libri i Gjeografisë për klasat e 9 dhe 12 u fut në kurikulat arsimore të vitit të ri shkollor.
Zëvendësministri i Jashtëm vuri në dukje se Shqipëria, për të vazhduar kursin e saj të pranimit në BE, duhet të plotësojë pesë kritere që lidhen me sistemin gjyqësor, ristrukturimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë vendin, ku përfshihet edhe çështja e teksteve shkollore.






















