Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj priti në një takim njohës drejtorin e Komisionit për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi, ku u bisedua për çështjet të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e resurseve natyrore të vendit tonë, siç janë materialet gurore të cilat përdoren për ndërtimet e rrugëve.
Me këtë rast, Lekaj vlerësoi se ministria e Infrastrukturës është duke realizuar projekte të shumta për ndërtimin e rrugëve të reja, si dhe theksoi se do të kërkojë nga kompanitë që të punohet sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, brenda asaj që përcaktohet me ligj për ministrinë e Infrastrukturës, shkruan infosot.
Ministri po ashtu tha se do të punohet në atë drejtim që të kërkohet përgjegjësi për të gjithë ata që i shkelin ligjet.
Ndërsa kryetari i këtij komisioni, Ramiz Krasniqi, kërkoi nga Lekaj që të arrihet një memorandum bashkëpunimi në mes të këtij Komisioni dhe ministrisë së Infrastrukturës, ku kompanitë fituese për ndërtimin e rrugëve do të obligoheshin që materialin guror ta marrin vetëm nga kompanitë e licencuara, “pasi që këto kompani njëherësh janë edhe kontribuues të buxhetit të shtetit”.
Në fund të këtij takimi u tha se në të ardhmen do të thellohet edhe më tutje bashkëpunimi në mes ministrisë së Infrastrukturës dhe Komisionit për Miniera dhe Minerale, me qëllim të ruajtjes nga eksploatimi ilegal i guroreve dhe nxjerrjes së rërës nga lumenjtë.















