Murtezaj ia dedikon Kosovës titullin Oficer i Urdhrit Kombëtar të Meritës në Francë

E publikuar: 04/10/2017 13:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Valon Murtezaj, profesor universitar në Paris dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, për merita të shquara, me dekret të Presidentit të Republikës franceze është dekoruar me Urdhrin Kombëtar të Meritës.

Murtezaj është graduar me titullin e lartë, Oficer i Urdhrit Kombëtar të Meritës.

Për këtë titull, Murtezaj është shprehur shumë i nderuar, duke thënë se Franca me këtë rast ka treguar, si gjithmonë, “shpirtin e madh të mirënjohjes dhe vlerësimit”, raporton Koha.net.

Ai, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se ky është titulli më i lartë me të cilin është dekoruar ndonjëherë dhe thotë se po i duket e tëra si një ëndërr.

“Në jetën time nuk mund të kem titull më të lartë se ky, dhe dekoratë më prestigjioze se kjo. Po ndihem si në ëndërr të ju them të vërtetën”, ka shtuar ai.

Më poshtë ju sjellim shkrimin e Murtezajt, shenjë falënderimi për shtetin e Francës:

Francë!

Më ke nderuar aq shumë.

Francë, ke shpërfaqur, si gjithmonë, shpirtin e madh të mirënjohjes dhe vlerësimit.

Francë, ke shpalosur zemërgjerësinë tënde ashtu siç ke bërë përgjatë historisë, duke i ofruar individit mundësitë dhe liritë, dhe me këtë, njerëzimit progresin.

Presidenti i Republikës franceze, me dekret, më ka akorduar titullin e lartë, duke më emëruar: Oficer i Urdhrit Kombëtar të Meritës.

Një nga dy Urdhrat më të lartë të Francës.

Në jetën time nuk mund të kem titull më të lartë se ky, dhe dekoratë më prestigjioze se kjo.

Po ndihem si në ëndërr të ju them të vërtetën.

Kjo dekoratë sipërore, nga më prestigjiozet në botë, u akordohet personaliteteve më eminente franceze dhe botërore, për merita dhe të arritura të shquara.

Kjo dekorate e lartë, në njërën anë më ka vendosur bashkë me personalitetet më eminente franceze dhe botërore; në të njëjtën kohë, në anën tjetër, ndjenja e përgjegjësisë për mua tani është shumë e lartë. Do jem shumë i devotshëm t’i integroj këto dy dimensione në secilin hap që bëj gjatë ecjes time jetësore.

Ky çmim nuk është vetëm i imi. Është i të gjithë juve. Është i Kosovës.

Për më tepër, ky çmim, tejkalon kufijtë e individit, organizatës, kombit. Është universal.

Faleminderit pafund Francës, dhe popullit të madh e mik francez.