Gjykata spanjolle ka vënë nën akuzë shefin e policisë katalanase si dhe një nga vartësit e tij dhe dy liderët e shoqatës indipendentiste, në kuadër të një “hetimi për komplot”, njoftoi sot një zëdhënës i gjykatës.
Hetimi lidhet me fakte të shënuara më 20 shtator, ndërsa arrestimi i 14 zyrtarëve të lartë të ekzekutivit katalanas shkaktoi protesta të shumta kundër Gardës civile në Barcelonë.
Katër persona në total janë nën hetim, Josep Luis Trapero, drejtuesi i policisë së Katalonjës, një tjetër zyrtar i policisë rajonale, Teresa Laplana, si dhe Jordi Sanchez dhe Jordi Cuixart, drejtuesit e shoqatave separatiste, Asambleja kombëtare katalanase (ANC) dhe Omnium.
Vënia nën akuzë lidhet me tubimet dhe protestat e organizuara për të penguar me forcë veprimin e autoriteteve dhe të agjentëve të saj në ushtrimin e funksioneve të tyre”, saktësoi zëdhënësi i Gjykatës kombëtare, gjykatë e ngarkuar për çështje komplekse.
© SYRI.net