Simiq mbron Rikallon, thotë se akuzat ndaj tij janë me motive politike

E publikuar: 03/10/2017 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kreu i Listës Serbe, Slavko Simiq

Kreu i Listës Serbe, Slavko Simiq

Deputeti Sllavko Simiq nga Lista Serbe i ka dalë në mbrojtje ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, duke thënë se disa deputetë dhe grupe të deputetëve përmes mentalitetit të politikës kërkojnë që të gjejnë viktimën për të fshehur dështimet e tyre politike.

Ai, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, i ka quajtur të pavërteta të gjitha akuzat ndaj Rikallos se ai ka maltretuar dhe torturuar qytetarët e Prishtinës, gjatë kohës së luftës në Kosovë, duke thënë se akuzat ndaj tij janë të pavërteta dhe po bëhen për qëllime të linçimit të ministrit serb të Bujqësisë, raporton KP.

“Më vjen shumë vështirë të besoj që disa që deri dje kanë qenë në pushtet e sot janë në opozitë nuk kanë zgjidhje konkrete për qytetarët tanë, të cilët përballen me probleme dhe më vjen rëndë që disa përmes mediave tentojnë që të krijojnë atmosferën e linçimit të zotit Rikallo. Duket se jeni munduar përmes mediave një eufori nacionale, por në këtë nuk keni arritur, pasi që qytetarët nuk kanë besuar në argumentet që keni nxjerrë. Ky është mentaliteti politik, i cili është i pranishëm te disa deputetë dhe grupeve të deputetëve, dhe ky mentalitet gjithmonë e përdorni kundër dikujt për të fshehur paaftësinë tuaj dhe për të tejkaluar problemet ekonomike me të cilat përballen qytetarët”, ka thënë Simiq.