Kryeministri Edi Rama e ka të vështirë të heqë dorë nga show, edhe pas marrjes së pushtetit.
Pasi shkarkoi dhjetëra drejtorë “live”, publikoi lista “të zeza” emrash duke u nisur nga denoncimet e ndjekësve në “Facebook” e pasi kërkoi ide për hartimin e programit Rama 2 (dukeqenëse i fitoi zgjedhjet pa pasur fare program) kryeministri ka hapur regjistrimet në koalicionin qeverisës.
“Në 25 qershor Shqipëria votoi që Partia Socialiste të bashkëqeverisë kuqezi me njerëzit e zakonshëm, pa dallim bindjesh politike e përkatësish krahinore.
Ky koalicion “Për Shqipërinë që duam” do të jetësohet përmes një sistemi inovativ ndërveprimi mes kabinetit qeveritar dhe qytetarëve të regjistrimit si anëtarë të koalicionit.
Kryeministri Edi Rama ka kënaqësinë e posaçme t’ju njoftojë të merrni pjesë në prezantimin publik të Platformës Bashkëqeverisëse dhe çeljen zyrtare të regjistrimeve në koalicionin qeverisës”, thuhet në një njoftim të shpërndarë nga Kryeministria, shkruan newsbomb.al.
Regjistrimet do u çelkërkan më 8 tetor, në orën 17:00 por ndërkohë askush nuk shpjegon se kujt i hyn në punë ky regjistrim dhe ç’na qenka në fund të fundit ky regjistrim në koalicion qeverisës në një kohë kur Rama e ka gjithë timonin e koalicionin të tijin dhe gjithçfarë duhet të bëjë është nisë menjëherë nga puna. Njerëzit kanë parë mjaftueshëm nga Rama si “One Man Show”. Tani duan ta shohin Ramën të sillet si kryeministër, në mandatin e tij të dytë qeverisës./newsbomb.al/


















