Haradinaj zotohet se do t’i përkrah bizneset në Kosovë

E publikuar: 03/10/2017 08:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të hënën në takim përfaqësuesit e kompanive prodhuese në vend, me të cilët ka biseduar rreth sfidave që përballen ata gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Haradinaj, fillimisht ka falënderuar bizneset, të cilat japin kontribut në buxhetin e vendit, duke thënë se kjo hapë rrugë për vende të reja të punës.

Gjatë takimit, Haradinaj u ka ofruar përkrahjen e Qeverisë përfaqësuesve të pranishëm të bizneseve që janë tatimpaguesit më të mëdhenj në Republikën e Kosovës, në zhvillimin e biznesit të tyre përmes lehtësirave të ndryshme tatimore, duke u premtuar atyre edhe shkurtimin e procedurave administrative.
Haradinaj ka theksuar se qëllimi i qeverisë është që në partneritet me bizneset të ndihmojë në zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bizneseve paraqitën një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë, duke kërkuar ndihmën e qeverisë për tejkalimin e tyre. Po ashtu, përfaqësuesit e bizneseve theksuan nevojën e reformave në arsim, ngritjen e kuadrove profesionale dhe të kualifikuar për punë, për të cilët ka nevojë tregu i punës në Kosovë, sigurimin e produkteve bujqësore, lirimin nga dogana të pajisjeve të cilat përdoren për prodhimet vendore, luftimin e informalitetit dhe çështje të tjera të cilat janë të rëndësishme për bizneset dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Haradinaj u ka premtuar tatimpaguesve se do të marrë parasysh të gjitha kërkesat e tyre dhe përmes dikastereve përkatëse do t’i adresojë për t’ju dhënë zgjidhje, duke iu ofruar partneritet dhe transparencë të plotë.