Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Niko Brahimaj tha se në dosjet që ka në hetim policia janë edhe disa nga emrat e përmendur nga Ambasadori Donald Lu në deklaratën e fortë që bëri po këtë të hënë.
“Policia ka dosje ku dyshohet se janë të përfshirë personat e përmendur nga Donald Lu. Unë nuk mund të flas më shumë për arsye hetimore”, ka thënë Brahimaj në Top Channel.
Drejtori i Krimeve të Rënda thotë se një pjesë e krimeve në vend lidhen drejtpërdrejtë me trafikun e hashashit të kultivuar në vend, ndërsa tha se një pjesë e dosjeve të vrasjeve të bujshme të mbetura pa autor do të rihapen.
“Ne do të merremi edhe me dosjen e ish-deputetit Xhindi, që do të rihapet. Edhe me dosjen Santo, edhe me dosjen e oficerit të policisë, edhe me dosjen e gjyqtarit e të tjerë e të tjerë”.
“Zullumi është trashur shumë dhe litari i lidhjes është drejt këputjes. Policia është tejet e përgjegjshme për të kryer detyrat. Prokuroria e Krimeve të Rënda na ka mbështetur dhe kjo do të vazhdojë”, deklaroi ai.
Sipas Brahimajt, viti 2016 nuk është viti me më shumë problematika sa i takon kriminalitetit.
“Ka pasur probleme të mëdha edhe në 2011 dhe në 2009, por tani litari tani po pritet dhe po shkon në fund”, u shpreh ai.
Ambasadori tamerikan në Tiranë, Donald Lu sot gjatë ditës i kujtoi autoriteteve shqiptare se nuk kanë kapur asnjë nga kokat e mëdha të krimit të organizuar.


















