Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton rreth aplikimit për rimbursim nga kuponët fiskal për TM3/2017 ( korrik, gusht, shtator 2017), shkruan infosot.
Aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal për TM3/2017, fillon nga data 01 tetor 2017 deri me 31 tetor 2017.
Aplikimi bëhet duke plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal. Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal. Aplikimi bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit.
Fituesit potencial do të rimbursohen me dhjetë përqind (10%) të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se njëqind euro (100€).
Numri minimal i kuponëve fiskal të dorëzuar duhet të jetë 60 kuponë, me shumën minimale dyqindepesëdhjetë euro ( 250€ ).
Numri Potencial Fitues do të gjenerohet nga sistem i ATK-së në bazë të një algoritmi të përcaktuar nga ATK, duke u bazuar në numrin e plikos, emrin dhe mbiemrin (në rastet kur qytetari posedon dy mbiemra do të merret për bazë vetëm i pari) e qytetarit.
Pas përfundimit të afatit të aplikimit, në njërën nga datat 1 deri më 10 të muajit pasues, ATK do të organizoj tërheqjen e Fitueseve Potencial (FP), përmes Radio Televizionit Publik të Kosovës.
Pas përfundimit të procesit të tërheqjes së Numrave Potencial Fitues, qytetaret të cilët posedojnë Numrin Potencial Fitues të përzgjedhur nga tërheqja, plikon me kuponë fiskal së bashku me të dhënat e aplikimit duhet të dorëzojnë fizikisht të mbyllur, në njërën nga Drejtoritë Regjionale të ATK-së, brenda afatit prej pesë (5) ditë pune pas publikimit të listës në web faqe të ATK-së.