Arratisja e të dënuarit për vrasjen e kryer në vitin 2004, Avni Osmani, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, bëri që Ministria e Drejtësisë sot të marrë vendim lidhur me shkarkimin e Ushtrueses së Detyrës udhëheqëse të Burgut të Dubravës, Zyrafete Imerajt.
Pas publikimit të lajmit, Indeksonline nga burgime brenda Burgut të Dubravës kishte raportuar për marrëdhëniet bashkëpunuese që kishte i arratisuri me Imerajn.
Siç kishte mësuar Indeksonline, Osmani ishte sekser i Zyrafete Imerajt, dhe se Osmani ishte i privilegjuar nga udhëheqësia e pavijonëve të tjerë përfshirë edhe drejtorin e pavijonit 8, Agron Rexha.
Po të njëjtat burime thonë se Osmani ka futur brenda burgut telefona, ku vetëm vitin e kaluar i ishin zënë 17 të tillë.
Kurse pas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me shkarkimin e Imerajt, Indeksonline ka kontaktuar edhe Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogajn i cili ka theksuar se çdo vendim që merret nga Ministria e Drejtësisë është i respektuar nga ana e tij.
“Nuk mund t’i komentojë këto vendime pasi unë i përgjigjem atij që është autoritet, që ka marrë një vendim të tillë. Çdo vendim që merret nga ana e Ministrisë është i përkrahur dhe i respektuar”,ka thënë Zogaj.
Ndryshe duhet përkujtuar që Osmani ishte dënuar me 30 vjet burgim për vrasje të rëndë të kryer në vitin 2004 përderisa kishte edhe 17 vite burgim të mbetura./Indeksonline/


















