Për një debat televiziv, pashmangshëm që është e domosdoshme, së pari tema e debatit, pastaj pyetjet që i shtron moderatori, e këtu hynë edhe mjeshtëria e tij dhe zgjedhja e pyetjeve. Madje për të shkuar edhe më hollësisht, janë të domosdoshme: zgjedhja e pyetjeve të qëlluara, tema e qëlluar, koha e qëlluar dhe personi i qëlluar.
I përmenda qëllimisht këto elemente, jo pse nuk i kanë të njohura kolegët e mi, por sepse na nevojiten për rastet e tjera. Tashmë incidenti ndodhi dhe s’kthehet mbrapa. Fajtorë ishin të dytë, edhe Frashëri, edhe Milaimi, por më shumë faji bie mbi televizionin që lejoi ashtu publikisht të terrorizohet audienca.
Të marrim atëherë mësim nga një përvojë e keqe. Të mësohemi e të bëjmë përzgjedhjen e të ftuarve, sepse ky është rregulli i shkruar. Në Amerikë p.sh. personat që kanë aktakuza të ngritura për terrorizëm, shpifje apo ngacmim seksual, kanë vija të kuqe se ku nuk mund të punësohen dhe në cilat vende s`kanë të drejtë të shkojnë ose frekuentojnë.
Përdorimi i tepruar i fjalorit banal në televizionet amerikane, është i sanksionuar dhe ka pasoja fatale. Pse të ftohet dikush që s`ka vlera, ose që është i dëmshëm për audiencën. Këtu është thelbi i problemit. Media po promovon njerëz agresiv, të dhunshëm, të pa edukuar, jo profesionistë për probleme të caktuara.
Çdo debat e ka një synim dhe ai synim oponentën kryesore e ka bashkëbiseduesin dhe temën. Mundësia është e artë për të promovuar njerëz me vlera, por edhe të dobishëm. Këtë rrugë, fatkeqësisht, pak media e ndjekin. Në TV-të tona dominojnë analistët që tërë kohën flasin broçkulla dhe asnjëherë nuk marrin përgjegjësi për atë që thonë. Flasin e gënjejnë me orë të tëra, pa ditur pasojat. Nuk jam ithtar i seleksionimit të profileve e të kategorive, por personalisht, në këso rrethana, nuk kisha promovuar figura të dhunshme e as të atillë që përdorin fjalor banal.
Cilën rrugë ta ndjekim?
Ka shumë rrugë nga të cilat gazetarët, redaktorët, editorët dhe themeluesit mund të orientohen për të mos përsëritur gabimet e njëjta.
Çdo redaksi apo media online duhet ta lexojë e rilexojë kodin e etikës, ta shkruaj e ta rishkruaj rregullin e ciklit të debateve që përmban të gjitha kriteret edhe të natyrës së debatit, që përmban të gjitha elementet kryesore të bashkëbiseduesit dhe të rivalit apo rivalëve të tjerë. Debati duhet të jetë edukues dhe mbi të gjitha referues për problemin e trajtuar.
E shihni tani se çfarë po ndodhë me rrjetet sociale. Gjithkund promovohet e keqja, njeriu i padëshiruar, promovohet dhuna dhe kjo vërehet hapur tek partitë që në gjak e kanë dhunën dhe luftën për të shkatërruar çdo gjë që është shtetërore. Rinia po infektohet keq nga sjelljet e tilla primitive, që dëgjojnë çdo ditë nga fjalori i politikanëve tanë.
Ta ruajmë mbi të gjitha gazetarinë e pastër, edhe në të folur edhe në shkruar. Ta ruajmë e ta avancojmë gazetarinë që për synim ka të edukojë publikun dhe jo ta degjenerojë atë.
Unë ndjej keqardhje për Milaim Zekën dhe për atë që ndodhi së fundi, sepse asnjëherë në jetën time nuk e kam përkrahur dhunën, aq më parë ndaj një ish-kolegut, por edhe Milaimi duhet të kuptojë se jo çdoherë agresiviteti i tij dhe fjalori banal kryen punë.
E mediat tona, duke përfshirë këtu TV-të dhe mediat online e të shkruara, duhet të kenë kujdes kur në emisione ftojnë figura që kanë probleme me ligjin dhe drejtësinë, aq më parë kur janë të ndjekur për terrorizëm e dhunë ndaj institucioneve shtetërore, siç ishte në këtë rast Frashër Krasniqi.
Në fund një këshillë miqësore. Bashkëbiseduesi është rregull të kërkohet për debate e intervista e jo të imponohet. Pra, bashkëbiseduesi duhet të njihet mirë, duhet të shikohet biografia e tij, e kaluara e tij dhe, në variantin më të mirë, duhet të shoshitet pjesa etike dhe ligjore e bashkëbiseduesit.