Ministrat Damian Gjiknuri dhe Mirela Kumbaro zhvilluan sot në Vlorë një takim me komunitetin himariot që preket nga faza e dytë e projektit për rehabilitimin e qendrës së Himarës.
Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Këshillin e Qarkut të Vlorës, minoriteti u përfaqësua nga Vasil Bollano dhe Fredi Beleri, të cilët parashtruan kërkesat në emër të banorëve himarjotë për pajisjen me dokument pronësie të atyre që nuk i zotojnë dhe shpronësim edhe për truallet jo vetëm për godinat.
Ministri Gjiknuri pas përfundimit të takimit siguroi se do të zbatohet ligji dhe aksioni për shembjen e objekteve do të nisë pas arritjes së negociatave.
“Javën tjetër do bëjmë një takim të fundit ku do sqarojmë të gjithë personat se si do të zbatohet projekti, në bazë të ligjit në fuqi dhe nëse ka njeri që preket nga ky projekt por nuk është përfshirë do të përfshihet”, deklaroi Gjiknuri.
Mësohet se ende nuk është arritur një marrëveshje për kompensimin e drejtë të pronave që preket nga projekti urbanistik i Himarës.
Në takim është diskutuar për të zgjidhur edhe problemet e mbartura të pronave në Himarë.
“Ne do të hapim një degë të posaçme të zyrës së Hipotekës së Vlorës në Himarë, që qytetarët të mos sorollaten rrugëve”, nënvizoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku i Himarës tha se gjithçka po ndodh nga ndërhyrjet politike.
“Kishte shkëmbime mendimesh. Do bëhet edhe një takim përfundimtar me banorët që kanë pretendimet e tyre dhe do vazhdojë projekti siç është miratuar”, tha Goro.
Ish-rivali i Goros, Fredi Bejleri njoftoi takimin e radhës pas një jave.
“Dialogu vazhdon. Të premten tjetër do ketë një takim me banorët e Himarës që preken nga projekti. Kemi kërkuar që para se të vijojë projekti, me procedurën që ka ligji të dëmshpërblehen pronarët e tokave”, tha Bejleri.
Bisedimet për të gjetur një zgjidhje erdhën menjëherë pas bisedimeve kokë më kokë mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë.
Në takimin e zhvilluar disa ditë më parë mes Koxias dhe Bushatit duket se është gjetur gjuha e përbashkët për të zgjidhur çështjet pezull mes dy vendeve.
Një nga shqetësimet e ngritura nga qeveria greke ishte edhe çështja e pronave të banorëve të Himarës, për të cilën kreu i diplomacisë helene Nikos Kotzias tha dy ditë më parë në televizionin publik grek se duhet kompensim.
Ndërsa kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro e cilësoi situatën vetëm si një prapavijë politike.
Nga implementimi i projektit për rikualifikimin urban me vlerë 3.5 milion euro do të shemben 22 objekte.
Çështja është ngritur më herët në parlament nga kreu i PBDNJ-se, Vangjel Dule.


















