Kosovës dhe Serbisë u duhet një qasje e re në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre, u tha në tryezën e Forumit 2015, ku u debatua rreth përfundimit të dialogut dhe asaj se çka mund të presë Kosova nga ky proces.
Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë e Ekipit të Unitetit në bisedimet para pavarësisë, përmendi detyrat që duhet t’i bëjnë jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe BE-ja, raporton KTV.
Ai tha se negociatat janë privatizuar në masë të madhe nga presidenti Hashim Thaçi, i cili po i përdor ato për interesa personale, derisa vendi ka nevojë për një unitet politik.
Kundër dialogut pa parime ka folur sërish deputeti i VV-së, Albin Kurti. Sipas tij, Serbia sikurse Rusia më shumë është e interesuar të mbajë tension në rajon sesa të zgjidhë problemin me Kosovën.
Gazetari serb, Boshko Jakshiq, beson se gjasat janë shumë të vogla që Serbia të ndryshojë qasjen e saj karshi Kosovës.
Ai ka komentuar edhe idenë e re të Vuçiqit për një dialog të brendshëm në Serbi, që sipas tij, mund të jetë ndoshta një lojë e radhës.
David Philips, drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut, Universiteti i Kolumbisë, tha se nga përvoja e kaluar sa ishte në shërbim të 3 presidentëve amerikanë, ka parë që gjërat në Ballkan nuk lëvizin pa u dhënë një shtyrje SHBA-ja.
Ai thotë se Mogherini nuk dha rezultat në këtë proces.
“Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara duhet ta caktojnë një përfaqësues dhe ky dialog duhet të transferohet në negociata. SHBA-ja duhet të luajë rolin e saj si palë ndërkombëtare dhe t’i ulë në tavolinë dy shtetet, ku përfundimi do të ishte e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Kosova duhet të hyjë në Kombet e Bashkuara dhe si dy shtete, duhet të ecin së bashku”.
Philips ka thënë se nëse Serbia hyn në BE pa e njohur Kosovën, ajo do të pengojë çdo iniciativë të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.


















