Në kodrën ku po nxirren gurë për autostradë është zbuluar një shpellë, si e Gadimes

E publikuar: 29/09/2017 19:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Detonimi i një pjese të kodrës afër lokacionit, ku po ndërtohet autostrada Prishtinë – Shkup në rajonin e Kaçanikut, ka zbuluar një vend të ngjashëm me shpellë.

Në hyrje të shpellës në tri anë të ndryshme vërehen salagtite dhe stalagmite të njëjta me ato të shpellës së Gadimes, raporton KTV.

Ishin banorët, ata të cilët e vërejtën këtë shpellë, derisa njoftuan organizatën joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”.

Aktivistët e kësaj organizate kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe thonë se kjo shpellë mund të ketë rëndësi potenciale në shumë sfera dhe mund të ndikojë në zhvillimin e turizmit në këtë rajon.

Kërkojnë nga organet kompetente që të marrin mendimin e profesionistëve të këtij lëmi, në mënyrë që të vërtetohet ekzistenca e kësaj shpelle.

Gjithashtu, kjo organizatë po kërkon edhe ndërprerjen e punimeve në këtë pjesë, por që një thirrje e tillë ka hasur në vesh të shurdhër, për shkak se kamionët e gurthyesve të kontraktuar nga “Bechtel Enka” kanë vazhduar punimet.

Nëse ministritë përkatëse nuk ndërmarrin asgjë lidhur me verifikimin e kësaj shpelle, atëherë shoqëria civile dyshon se kjo çështje do të mbyllet shumë shpejt, ngase siç thonë, kompanive të gurthyesve nuk u konvenon që t’i ndërpresin punimet në mbrojtje të shpellës.