Administrata Tatimore e Kosovës njoftoi se nga dita e sotme përmes sistemit elektronik EDI, do të mundësohet regjistrimi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, gjegjësisht gjenerimi i numrit të TVSH-së.
Tatimpaguesit, që obligohen apo vullnetarisht zgjedhin të regjistrohen për TVSH, kërkesën për regjistrim, do ta parashtrojnë përmes Sistemit Elektronik EDI.
Pasi të parashtrohet kërkesa nga ana e tatimpaguesit, sistemi do të bëjë verifikimin e të dhënave të tatimpaguesit. Vetëm për tatimpaguesin që plotëson të gjitha kriteret për Regjistrim në TVSH, regjistrimi do të bëhet në mënyrë elektronike.
Në momentin e regjistrimit të tatimpaguesit për TVSH, tatimpaguesi pranon mesazhin, me të cilin njoftohet se regjistrimi ka përfunduar me sukses dhe njëherësh pranon edhe numrin e gjeneruar të TVSH-së.
Po ashtu, në mënyrë elektronike, tatimpaguesi njoftohet se Certifikatën e TVSH-së duhet ta tërheq në zyrën përkatëse të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve.
Duke filluar nga data 1 Janar 2017, Administrata Tatimore e Kosovës ka vënë në funksion funksione shtesë në EDI – Deklarimi Elektronik, ku bizneset do të kenë mundësinë e dorëzimit të librave kontabël në mënyrë elektronike.