Pas një debati mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe deputetit të Levizjes Vetëvendosje, Albin Kurti rreth çështjes së demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, ka reaguar Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se të gjithë, përfshirë Presidentë e Kryeministra duhet ta dinë se shteti i Kosovës nuk është bërë dhe nuk do zhbëhet nga opinione dhe deklarata. Kësisoj ka thënë ai, nuk do të ndryshohen as kufijtë e Kosovës, përcjellë Indeksonline.
Megjithatë, Krasniqi ka falenderuar Shqipërinë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në kohë të vështira.
Ky është komenti i tij i plotë:
Le ta dinë të gjithë, Presidentë e Kryeministra
Le ta dinë Presidentë a Kryeministra se shteti i Kosovës as nuk është bërë e as zhbëhet me deklarata e opinione.
Gjithashtu duhet ta dinë, se as kufijtë e Kosovës nuk ndryshohen e as ricaktohen me deklarata e opinione.
Edhe për shtetin edhe për kufinjtë ka vendosur populli që i ka mbrojtur.
I falenderojmë të gjithë ata që janë solidarizuar me të drejtat e liritë e popullit tonë në kohë të vështira!



















