Veseli: Agjenda evropiane është prioritet kryesor i Kosovës

E publikuar: 28/09/2017 15:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, për të diskutuar për prioritet e shtetit të Kosovës në fushën e integrimeve evropiane.
Kryeparlamentari e ka njoftuar shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë/PPBE për rrjedhën e deritashme të punës së institucioneve të Kosovës dhe përkushtimin për agjendën evropiane të Kosovës. Kreu i legjislativit tha se institucionet e Kosovës do t’i zbatojnë të gjitha kriteret e nevojshme për të përmbyllur sa më parë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve.
“Kosova është vend evropian dhe institucionet tona janë të përkushtuara në përmbushjen e agjendës së plotë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Agjenda e integrimeve evropiane është prioritet kyç i shtetit tonë dhe Kosova shumë shpejt do të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, tha kryeparlamentari Veseli.
Kryeparlamentari Veseli e siguroi shefen e Zyrës së BE-së për përkushtimin institucional që marrëveshja e IPA 2016 ku Kosova përfiton 70.5 milionë euro do të miratohet në ditët në vijim me prioritet të veçantë në Kuvendin e Kosovës. Ai po ashtu theksoi se të gjitha projektligjet që ndërlidhët me procesin e agjendës për reformë evropiane do të trajtohen me prioritet.
Në takim me kryeparlamentarin Veseli, shefja e Zyres së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, tha se Kuvendi duhet t’i jap prioritet maksimal çështjeve që ndërlidhen me agjendën evropiane.
Apostolova përsëriti angazhimin e BE-së ndaj perspektivës evropiane të Kosovës dhe siguroi z. Veseli se BE-ja do të mbështesë dhe vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet dhe partitë politike për të shtyrë përpara reformat dhe agjendën evropiane./Infosot/