Kuvend, pritet debat për organet e Vetingut, PD nuk do të lejojë shkurtimet

E publikuar: 28/09/2017 09:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare sipas një rendi dite të ndryshuar thellësisht nga ajo që ishte paraqitur në faqen zyrtare. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë kërkuar zyrtarisht ndryshimin e rendit të ditës për të futur në të disa projekakte me rëndësi.

Konkretisht, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka kërkuar votimin e strukturës dhe organikës së institucioneve të Vendit si dhe dekretin e ish-Presidentit Bujar Nishani për kthimin mbrapsht të ligjit për importin e mbetjeve.

PD-ja ka paralajmëruar se do të kundërshtojë shkurtimin e burimeve financiare dhe njerëzore për këto institucione. Kreu demokrat Lulzim Basha tha dy ditë më parë se “të enjten, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, do të propozojë në seancë plenare amandamentet, për të rivendosur atë që kanë kërkuar organet e pavarura të Vettingut. Ne do të jemi në krah të organeve të pavarura të vettiungut, që të kenë mbështetjen e plotë financiare dhe me personel dhe të mos jenë në mëshirën e një njeriu, i cili deri më sot me fakte ka zgjedhur bandat dhe jo drejtësinë.”

Në rendin e ditës mbeten projektligjet e rendituara më parë, kryesiht me karakter ekonomik, duke filluar nga ato për ndryshime në Buxhetin e shtetit të vitit 2017.