“Bombat” nuk mund të jenë dëshmi në rastet e PSP-së, “Tenderë”, “Toplik” dhe “Tortura”.
Kjo do të thotë se në këtë moment Katica Janeva nuk mund t’i shfrytëzojë bisedat e përgjuara kundër ish ministres Kançeska Milevska për ndërtimin e muzeut të VMRO-DPMNE-së, kundër disa personave për investimin e dështuar në “Qytetin e Diellit” dhe kundër të akuzuarve për arrestimin e Lube Boshkovskit.
Kështu ka vendosur Këshilli i Gjykatës Penale në Shkup i cili i vlerësoi aktakuzat e Prokurorisë Speciale të parashtruara nga Specialja në fund të qershorit. Në të tria rastet arsyetimi i vendimit të gjykatës është i ngjashëm.
Veçohen nga shkresat e lëndës dëshmitë nga lista e aktakuzës… si dëshmi të siguruara në mënyrë të paligjshme dhe me shkeljen e të drejtave dhe lirive të përcaktuara me Kushtetutën e R. Maqedonisë- thuhet nga Gjykata Themelore Shkupi 1.
Vendimi i këtillë i Këshillit së paku është kundërthënës me vendimet e Apelit. Në dy raste të mëparshme, gjykata më e lartë i ndryshonte vendimet e Gjykatës Themelore duke i shpallur bisedat e përgjuara si dëshmi. Nga PSP-ja nuk deshën të japin koment të drejtpërdrejtë, përveç asaj se:
Prokuroria do ta shfrytëzojë mundësinë ligjore dhe do t’i ankimojë vendimet- thuhet në kumtesën e Speciales.
Por, jo të gjitha vendimet e sotme të Penales në Shkup shkojnë në favor të të akuzuarve në rastet e PSP-së. Këshilli penal i departamentit për krim të organizuar vendosi të mos ia kthejë pasaportën ish kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, me kërkesë të tij. Shkurtimisht, vlerësimi i Këshillit është se kërkesa është e pabazuar. Që t’u kthehet pasaporta kërkojnë edhe katër të akuzuar tjerë, të akuzuar në lëndë të ndryshme të PSP-së, në mesin e të cilëve është ish drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov. Deri tani, nuk dihet se kur do të ketë vendim edhe për to. /AlsatM/



















