Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka ndarë një rrëfim në llogarinë e tij në facebook, i cili ka të bëjë me Kandidatin e Vetëvendosjes për Kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Sipas tij duke qenë se kandidati i VV-së për Kamenicën, është djali i Isa Kastratit, dëshmor i Prishtinës, Komuna para disa vitesh i ndau banesë familjes së tij në kuadër të procesit të ndarjes së banesave për kategoritë e luftës, transmeton Klan Kosova.
Megjithatë sipas Ahmetit, Qëndron Kastrati u ktheu banesën Komunës së Prishtinës me arsyetimin se tani ka të ardhurat e mjaftueshme dhe nuk i nevojitet ajo më. Ahmeti pohon se Kastrati kërkoi që kjo banesë t’i ndahet njërës nga familjet e tjera të kategorive të luftës apo me raste sociale.
Për më shumë ja statusi i plotë i Ahmetit:
”Miq të nderuar e posaçërisht ju qytetarë të Dardanës,
Më duhet të ndaj me ju një përvojë personale të katër viteve të fundit. Qëndron Kastrati ka qenë asambleist në këto katër vite në Komunën e Prishtinës dhe një kohë edhe udhëheqës i asambleistëve të LVV. Kam punuar me të në baza ditore për të mirën e Prishtinës dhe pa hezitim po ju them se është një prej njerëzve më të sinqertë, më të dijshëm dhe më punëtorë që kam takuar. Qëndroni është thjeshtë njeri i mirë, dhe me të kisha me hy në çdo betejë.
Jam gëzuar shumë kur është zgjedh deputet, mirëpo edhe për Kuvend edhe në këto zgjedhje pak jam hidhëruar se kam pas dëshirë që ai me vazhduar për Prishtinën.
Qëndroni është djali i Isa Kastratit, dëshmorit të Komunës sonë, dhe është fëmiu më i madh prej 6 fëmijëve të familjes. Prindin e ka humbur në moshë shumë të re, dhe kjo edhe ka shtuar përgjegjësinë e Qëndronit për familjen e tij. Por edhe Qëndroni, sikurse edhe babai i vetë interesin e përgjithshëm e ka vendos para vetës e familjes. Kur më flasin njerëzit që e kanë njohur Isa Kastratin për të, më duket se po flasin për Qëndronin.
Dua ta tregoj edhe një ngjarje që Qëndroni nuk ka dëshirë që unë me e tregu. Para disa viteve, Komuna e Prishtinës i ka nda banesë familjes Kastrati në procesin e ndarjeve të baensave për kategori të luftës. Pasiqë është zgjedhur deputet, Qëndroni e ka kthyer banesën e Komunës, “duke shkruar se tanimë i ka të ardhurat dhe nuk i nevojitet një banesë nga komuna”. Ka kërkuar që kjo banesë ti ndahet familjeve të tjera të kategorive të luftës ose rasteve sociale.
Shpresoj që edhe të tjerët ta përcjellin shembullin e Qëndronit dhe familjes Kastrati.
Me nder e respekt të përhershëm për Qendronin. I uroj zgjedhje për kryetar të Dardanes duke ditur që nga kjo do të përfitojnë vetëm qytetarët e Dardanes.
P.S. edhe pse çdo punë që e kemi bërë në Komunën e Prishtinës e kemi bërë bashkë, dhe ai ka përvojë në reformë, unë zotohem se do ta ndihmojë në çdo reformë në komunën e tij”