Thaçi niset nesër drejt Vatikanit dhe SHBA’së për takime me Papën dhe Michael Pence

E publikuar: 26/09/2017 17:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nesër do të udhëtojë për në Vatikan, ku të enjten do të pritet në një audiencë nga Papa Françesku. E pas kësaj vizite, Presidenti do të niset për në Washington ku do ta takohet me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence.

Në takimin me Papën, Presidenti Thaçi do të informojë Atin e Shenjtë për proceset politike në vend e në vecanti do të flasë edhe për krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim, dhe për procesin e normalizimit të raportëve me Serbinë, transmeton Express.

Pas takimit me Papa Françeskun, presidenti Thaçi do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi do të pritet në takim nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence.

Në këtë takim do të diskutohet për tema të ndryshme me interes të të dy shteteve tona. Presidenti Thaçi do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe procesin e integrimeve euroatlantike.

Presidenti Thaçi do të kërkojë po ashtu përfshirjen e SHBA-së në fazën e fundit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një garantues i paqes dhe stabilitetit në rajon.