Demokracia Studentore përmes një komunikate për media ka kërkuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të gjitha universitetet publike në Kosovë.
Mexhid Ramusa nga Demokracia Studentore, tha se problemet në universitetet publike qëndrojnë te politizimi i tyre nga klanet të caktuara të interesit, të cilat deri më tani ju kanë shërbyer grupeve të interesit.
Për të dalë nga kjo gjendje, ai kërkon që Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me kryeministrin dhe grupet e ekspertëve të marrin një vendim për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe t’i shkarkojnë të gjitha bordet dhe rektoret e universiteteve publike.
“Këtë gjendje të mjerueshme të cilën e kanë instaluar ish- ministrat Ramë Buja dhe Arsim Bajrami, mundem ta zgjidhim vetëm në ketë mënyrë, dhe të zgjedhën rektoret të cilët i plotësojnë kriteret dhe nuk i përkasin ndonjë subjekti politik”, tha ai.
Kërkesa për shkarkimin e drejtorit dhe bordeve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, për Ramusën është e duhur dhe reflektues për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë, pasi është pikërisht ky institucion që ka lejuar hapjen e programeve të reja, të cilat nuk kanë plotësuar asnjë kriter.


















