Një palestinez vrau me revole tre izraelitë dhe e plagosi njërin para se të gjente vdekjen edhe vetë, shkruan Guardian.
Sulmi ndodhi në një lagje jashtë Jerusalemit, kryeqytetit të Izraelit, njëkohësisht qytetit të cilin e konsiderojnë të shenjtë të tri religjionet, ai hebraik, krishterë dhe mysliman. Sipas raportimeve fillestare, sulmuesi gjithashtu është vrarë nga arma e zjarrit, transmeton gazetametro.net.
Sulmuesi, i maskuar si punëtor, pretendohet se ka arritur në hyrjen e prapme të lagjes rreth orës 7 të mëngjesit derisa pjesëtarët e sigurimit hapnin derën në mënyrë që t’i lëshojnë punëtorët palestinez me leje.
Kur rojet filluan të dyshojnë, sulmuesi e nxori revolen e fshehur nën bluzë dhe filloi të gjuaj, duke plagosur për vdekje tre izraelit para se edhe vet u vra.
“Terroristi hyri kah dera e prapme e lagjes Har Adar me punëtorët palestinez, nxori armën dhe hapi zjarr në pjesëtarët e sigurimit. Tre izraelit janë vrarë në sulm, derisa njëri u plagos”, ka thënë zëdhënësi i policisë, transmeton gazetametro.net.
Policia ka konfirmuar se sulmuesi, i identifikuar si palestinez 37 vjeç, me leje pune, më vonë vdiq nga plagët e marra.
Edhe pse shkalla e dhunës në muajt e fundit është zvogëluar në Izrael, prej tetorit të vitit 2015 janë vrarë së paku 295 palestinezë, 50 izraelit, dy amerikanë, dy jordanezë, dhe nga një shtetas të Eritreas, Sudanit dhe një britanik. Sipas autoriteteve izraelite, “shumica e palestinezëve janë vrarë gjatë sulmeve me thikë, revole dhe tentimeve që me vetura t’i godasin civilët”.
Të tjerët janë vrarë gjatë protestave, konflikteve me policinë apo bombardimeve të Rripit të Gazës.

















