Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk e mendon balotazhin fare në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
“Forca për ndryshim ka filluar në Drenas që në Dhjetorin e shkuar dhe vazhdon më tej sepse ne dimë çka i duhet qytetarit, ai e ka parë dhe e di çka kam punuar dhe nuk e mendoj balotazhin si opsion” ka thënë Lladrovci për Indeksonline.
Madje ai thotë se me performancën që ka treguar, pavarësisht respektit për kolegët kundërshtar, asnjëri nuk mund të matet me punën e tij.
“Të gjithë kandidatët janë ish anëtarë të PDK-së dhe i vlerësoj si të tillë. I vlerësoj si qytetar, si shtetas të Republikës por, me performancën time me decenie të angazhimit tim, asnjëri nuk mund të matet, as me përkushtimin dhe punën për qytetarin. Unë jam forca e ndryshimit në Drenas, asgjë nuk mund ta ndal këtë ndryshim” ka thënë Lladrovci tutje.
Ai ka përmendur edhe premtimet për qytetarët e Drenasit, shkruan Indeksonline.
“Premtimet e mëhershme të mia, janë edhe premtime aktuale, respektim i ligjit, transparencë dhe përkushtim 24 orë në shërbim të qytetarëve” ka shtuar në fund Lladrovci.
Qytetarët do të ju drejtohen edhe njëherë këtë vit kutive të votimit, kësaj radhe për kryetarin e komunës. Ndërsa, dje ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, ku kandidatët për kryetar e për asamble komunale kanë filluar paraqitjen e platformave të tyre qeverisëse.
Zgjedhjet do të mbahen me 22 tetor, derisa PZAP u ka bërë thirrje kandidatëve, mbështetësve tyre dhe qytetarëve të mos shkelin ligjin për zgjedhje lokale.


















