Të pamenduar mirë dhe të pafavorshëm po e quan ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, vendimin e Kryeministrit Haradinaj, i cili ka shtyrë aplikimin e Kosovës në Interpol.
Sipas Hysenit, Kryeministri me këtë vendim e ka dëmtuar shtetin e Kosovës, pasi rrezikon që Asambleja e Interpolit të kërkojë që procedurat të fillojnë nga zeroja, raporton KTV.
Hyseni thotë se Kosova këtë vit ka pasur shumë gjasa të bëhet anëtare e Interpolit, pasi sipas tij, aplikacioni i saj ka qenë ndër më të kompletuarit.
Ai shton se Policia e Kosovës është e përgatitur në të gjitha aspektet.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka marrë vendim që të mos aplikojë për anëtarësimin e Kosoës në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.
Haradinaj u ka bërë thirrje diplomatëve që në takimin e radhës të punojmë më shumë, në mënyrë që Kosova të votohet anëtare e Interpol-it.
Shteti i Kosovës kishte aplikuar në Interpol në prill të vitit 2015.
Në fund të 2015-s, asambleja e Interpolit kishte vendosur që të gjitha aplikacionet të shtyhen për këtë vit, për shkak të rishikimit të kritereve për anëtarësim.
Ndërsa më 26 deri 29 shtator do t’i zhvillojë punimet Asambleja e përgjithshme e Interpol-it në Pekin të Kinës. Votimi për Kosovën ishte paraparë të ndodhte më 26 shtator.
Dy të tretat e votave i nevojiten Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë.


















