Zogaj konfirmon vënien e zjarrit në Burgun e Dubravës

E publikuar: 21/09/2017 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj ka konfirmuar për Indeksonline se një person ka tentuar t’i vë zjarrin vetes dhe pavijonit në të cilin gjendej në Burgun e Dubravës.

Madje sipas Zogajt, personi në fjalë është i njohur për veprime të ngjashme pasi që nuk është hera e parë që ai ka tentuar diçka të tillë.

Gjithashtu sipas tij, personi në fjalë është me të meta mentale.

“Një person me të meta mentale dhe ai ka tentuar që të kallë dhomën. Ka qenë psiqikisht i ngarkuar dhe po në njëfarë mënyre ia ka arrit qëllimit ta bëjë këtë, por ka pas ndërhyrje të shpejta dhe kanë arritur që të ndalin zjarrin, duke përfunduar me kaq i gjithë incidenti”, ka thënë Zogaj.

Gjithashtu ky i fundit ka theksuar se ngjarja është zhvilluar në Pavijonin 2 në Burgun e Dubravës.

“Menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat ai është dërguar për në Spital të Pejës në mënyrë që më pas të transferohet për në psikiatri”, ka përfunduar Zogaj.

Duhet përkujtuar që një ngjarje e ngjashme në Burgun e Dubravës kishte ndodhur vitin e kaluar, saktësisht në muajin prill./Indeksonline/