Kryetari i LDK-së nëndega në Dobërçan, Naser Arifi është decertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi që ndaj të njejtit gjykata kishte shqiptuar një gjobë prej 300 eurove gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013.
Por këtë gjobë, Arifi thotë ta ketë paguar menjëherë pas shqiptimit të dënimit, njofton GazetaBlic.com
Ky kryetar i kësaj nëndege në Dobërçan, që deri dje ishte pjesë e listës zgjedhore të LDK-së në Komunën e Gjilanit, pohon se decertifikimi i tij ka ndodhur pasi që ia kishte prishur një tubim elektoral ish-kryetarit të PDK-së Hashim Thaçit në vitin 2013.
“Për të mos sjellë dyshime dhe mjegull dëshiroj të sqaroj se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në vitin 2013. Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale personazhe të ndryshme të Pronto-Mafisë bënin fushatë të flliqtë duke ardhur natën përmes disa „komandantëve“ nëpër familje tradicionalisht pro-LDK dhe duke i frikësuar dhe shantazhuar për t’i votuar ata. Organet policore dhe shtetërore nuk e shihnin veten të thirrura për të ndërhyrë në këto raste.
Reagimi im në atë kohë ka qenë individual dhe një përpjekje që në mungesë të reagimit të organeve kompetente dhe në mënyrë më radikale, si mënyra e vetme të cilën e kupton klani Pronto, t’i bëhet me dije kreut të Prontos, Hashim Thaçit, se ky vend nuk duron sjellje mafioze dhe dikush mund të dalë nga vetvetja dhe të përdorë mjete të dhunshme.
Veprimi i zgjedhur nga unë ka qenë vetëm paralajmërim dhe i formës që nuk mund të shkaktonte asnjë dëm material apo njerëzor. Çuditërisht në këtë rast organet kompetente reaguan shumë shpejt dhe unë u ballafaqova me gjykatën dhe pagova brenda afatit ligjor gjobën e shqiptuar”, ka njoftuar ai.
Megjithatë, Arifi ka përshëndetur vendimin e KQZ-së, për decertifimin e tij nga lista zgjedhore duke e vlerësuar atë si vendim të duhur por shton se “heqja nga listat zgjedhore të të gjithë personave me vepra penale është një prej hapave më të rëndësishëm për një kthesë të shëndoshë politikenjë. Vendim i tillë duhet të vlejë për të gjithë dhe jo të jetë selektiv si në rastin e listave të këtyre zgjedhjeve.”
Sipas tij, është një hap pozitiv në drejtimin e duhur dhe një kriter i tillë duhet aplikuar domosdo edhe në zgjedhjet nacionale dhe tek të gjithë bartësit e funksioneve politike dhe publike, duke filluar nga kreu i shtetit.
KQZ-ja ka marrë vendim që të decertifikohen të gjithë kandidatët që garojnë për kryetar dhe Asamble Komunale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit që kanë aktgjykim të formës së prerë nga Gjykatat e Kosovës.
Ditë më parë KQZ ka decertifikuar 86 kandidatë që ishin pjesë e listave zgjedhore, në mesin e tyre ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-s, Zafir Berisha i cili në zgjedhjet e sivjetme lokale ishte i nominuar për kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit./Gazeta Blic/


















