Arsyetimi qesharak i Vulinit: Tezja nga Kanada ma ka blerë banesën super luksoze

E publikuar: 20/09/2017 09:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin nuk mundi të arsyetojë prejardhjen e 200 mijë eurove me të cilat ka blerë një banesë luksoze në Beograd.

Agjencisë Kundër Korrupsionit në Serbi, ai i ka dhënë një arsyetim jo fort të besueshëm -duke thënë se paratë i ka të huazuara nga tezja e gruas së tij e cila jeton në Kanada, përcjell Gazeta Metro.

Përpos këtyre arsyetimeve Agjencia Kundër Korrupsionit ka zbuluar edhe një varg argumentimesh jo logjike lidhur me arsyetimin që ai ka bërë për paratë.

Banesa prej 107 metrash katrorë me parking në një lagje luksoze të Beogradit atij i ka kushtuar hiq më pak se 244 mijë e 620 euro.

Ratën e parë të kësaj banese Vulini e pagoi 40 mijë euro, ndërsa paratë e tjera sipas kontratës që kanë siguruar mediat serbe, është dashur t’i kthejb në shtator të vitit 2012, të cilat ai ende nuk i ka paguar.

Për paratë e huazuara ka përdorur një vërtetim me nënshkrimin e gruas së tij, Natasa Vulin, e cila ka thënë se borxhi ndaj tezes së saj duhet të kthehet në afat prej 10 vitesh.

Ministri Vulin ishte i afërt me gruan e Slobodan Milosevic-it, Mira Markovic dhe përpos rastit me këtë banesë, ai është duke u hetuar nga prokuroria edhe për 12 raste të tjera të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.