Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, shihet se në aksidente komunikacioni 84 persona kanë gjetur vdekjen.
Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak sivjet kemi 13 të vdekur më shumë, shkruan sot, gazeta Zeri
Vetëm nga janari e deri në fund të muajit gusht të këtij viti në aksidente komunikacioni kanë humbur jetën 84 persona, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak si pasojë e aksidenteve në rrugë kanë gjetur vdekjen 71 persona.
Në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës, numri total i aksidenteve gjatë këtyre muajve ka qenë gjithsej 12.017, ku pothuajse numër i njëjtë i aksidenteve ka qenë edhe në vitin 2016, me 12776 aksidente. Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se është tejet shqetësuese rrija e vazhdueshme e numrit të aksidenteve me pasoja fatale.
Në anën tjetër, njohës të komunikacionit thonë se janë disa faktorë që po ndikojnë në numrin e madh të aksidenteve. Sipas profesorit të Komunikacionit, Musli Bajraktari, siguria në komunikacion kohëve të fundit është mjaft e rrezikshme.
Sipas tij, mosrespektimi i ligjeve të komunikacionit është njëri nga shkaktarët kryesorë të shkaktimit të aksidenteve.
“Siguria në komunikacion kohët e fundit është rrezikuar mjaft, e për këtë janë disa faktorë. E para është faktori subjektiv, vetë vozitësi, pasi që nuk po u përmbahen rregullave, e në veçanti gjatë stinës së verës. E dyta është Policia e vendit, pasi që duhen të zbatohen masat të cilat janë të parashikuara me ligje, në një mënyrë do të ndikonte në uljen e aksidenteve. E treta është faktori automjet, pasi që në vendin tonë një numër mjaft i madh i automjeteve e kalojnë vjetërsinë e tyre, pra janë mjaft të vjetruara, por që me ligjin që është shpresojmë që të këtë edhe kufizime në vitet e automjetit”, ka thënë Bajraktari për gazetën “Zëri”.