Mënyra e vjetëruar e të menduarit
Reagimin e tij të fundit, Veton Surroi e nis me një përmbledhje të shkrimit tim “Racizmi i Pavetëdijshëm i Veton Surroit”. Përmbledhja është e tij, jo imja. Si e tillë, ajo nuk shpreh asgjë nga thelbi i shkrimit tim. Në fakt, ajo vetëm evidenton, ose paaftësinë e Surroit për të lexuar me kujdes mendimet e tjetrit, ose frikën për të parë në pasqyrë shëmtinë e tezave të tij raciste. Taktika e njohur diskursive: Shpëto fytyrën tënde duke njollosur fytyrën e tjetrit.
Në këtë tekst nuk e kam ndërmend të merrem me obsesionin kronik të Vetonit për PDK-në. Ky obsesion duket se i ka rrënjët në dramën e prishjes së miqësisë personale shumë vjeçare të Surroit me ish liderin e kësaj partie, prishje që thuhet se ndodhi në parkingun e një hoteli në kryeqytetin e një shteti të madh evropian, në vitin e largët 2007.
Sido që të jetë, kjo është punë për ata që nesër mund të kenë interes të shkruajnë historinë bashkëkohore të Kosovës, e aspak për preokupimet e mia.
Ajo që më intereson, është mënyra e të menduarit dhe konceptet me të cilat operon Surroi në publikimet e tij. Nisur nga kjo, tërë kohën, përpiqem që këtë ballafaqim ta ngris në rrafshin konceptual, derisa shkrimtari Surroi vazhdon të kapet fort pas lojës me fjalë dhe me etiketa boshe.
Ndonëse ka një karrierë të gjatë publicistike që zë fillet në ditët e arta të Rilindjes – organ i Lidhjes Socialiste të Kosovës, dhe ndonëse komunizmi, si sistem ideologjik e mental, që moti ka përfunduar, mënyra e të menduarit e Surroit ka evoluar fare pak, për të mos thënë aspak që nga ajo kohë. Ajo ka mbetur brenda modelit monist të të menduarit.
Çfarë e karakterizon këtë model? Shumë gjëra, natyrisht, por dy prej tyre na hyjnë në punë brenda kontekstit të këtij ballafaqimi.
Njëra është ajo që njihet si “doktrina e të keqës së singularizuar”, dhe tjetra është keqkuptimi i natyrës së pushtetit.
Doktrina e të keqës së singularizuar, pak a shumë, qëndron në idenë se për të gjitha hallet dhe dertet e njerëzimit ekziston një shkak i vetëm unik dhe po qemë në gjendje ta identifikojmë dhe më pas ta eleminojmë këtë shkak, atëherë njerëzimi do të shpëtohej dhe ne të gjithë do të bëhemi të lumtur. Shembulli klasik, në këtë drejtim, është teoria fetare për djallin: Çdo e keqe që shfaqet mbi tokë është pasojë e djallit, ëngjullit që nuk iu bind vullnetit suprem hyjnor. Shumë mendimtarë kanë zhvilluar shpjegime të gabueshme për botën, pikërisht, duke u nisur nga trajta të ndryshme të kësaj doktrine. Marksi është njëri prej më të famshmëve prej tyre. Të gjitha të këqijat vijnë prej pronës private, thoshte ai, dhe po e hoqëm pronën private i kemi zgjidhur të gjitha problemet tjera. Të gjithë e dimë se si u zgjidhën këto probleme prej atyre që ndoqën këtë formulë moniste. Këtë shkollë mendimi, religjioze-marksiste në esencë, e gjejmë në themel të mendimit të Surroit. Në rastin e tij, djalli, e keqja supreme, është PDK-ja, prandaj rruga për në tokën e premtuar do të hapet posa ta heqim qafësh atë. Sa mirë do të ishte po të qëndronte kjo. Nuk do të bëhëj nami të hiqej një parti nga pushteti nëse ajo është pengesa e vetme për lumturinë në tokë, por, nuk kemi kaq fat, për një arsye të thjeshtë, se kjo teori, në të gjitha pikëpamjet, është e gabuar.
Duke qenë filozofikisht e paqëndrueshme, kjo teori është instrument i thjeshtë në luftën partiake për pushtet dhe Surroi, duke operuar me këtë instrument, nuk bën gjë tjetër veçse punën e argatit propagandistik për llogari të një kampi të caktuar, të përfshirë në këtë luftë.
E dyta, Surroi, në tekstet e tij, operon me një koncept tejet të vjetëruar të pushtetit. Ky është koncepti posesivist totalitar, brenda të cilit, mendohet se i gjithë realiteti i një shoqërie derivon nga vendimmarrja politike e atyre që janë në pushtet. Shihet shumë qartë varfëria teorike e Surroit në fushën e teorive politike dhe filozofisë politike bashkëkohore. Kjo varfëri i falet një shkrimtari mediokër, por jo një komentatori serioz politik që pretendon të thotë gjëra relevante mbi shtetin dhe shoqërinë.
Sot, analizat më të mira politike dhe ato të qeverisjes, frymëzohen nga teoria e pushtetit e filozofit francez Mishel Fuko, i cili argumenton shumë mirë se si zhvillimet e shoqërisë bashkëkohore e kanë bërë të vjetëruar konceptin posesivist për pushtetin, koncept prej të cilit Surroit nxjerr teorinë e kapjes së shtetit.
Meqë Surroi kapet pas leximeve të teksteve popullarizuese të shkencave kognitive, të cilat, kuptohet, nuk i njeh aspak, edhe unë do t’i jap një kundër shembull nga Fuko. Në analizat e tij të thukta për pushtetin në shoqëritë bashkëkohore, Fuko, mes tjerash, shkruan: “Pushteti nuk është diçka që merret, fitohet apo ndahet, diçka që mbahet apo që të ikën nga duart; pushteti ushtrohet nisur nga një pafundësi vatrash dhe i përfshirë në një lojë marrëdhëniesh të lëvizshme dhe të pabarabarta…Mos kërkoni më kot shtabin e përgjithshëm nga ku buron racionaliteti i tij; as kastat qeverisëse, as grupet që kontrollojnë aparatet shtetërore, as ata që marrin vendimet më të rëndësishme ekonomike nuk e zotërojnë tërësinë e rrjetit të pushtetit që vepron në një shoqëri të dhënë (dhe e mban atë në veprim)”.
Pushteti, pra, gjithmonë, shfaqet i decentruar; ai ushtrohet nga një shumësi e madhe qendrash dhe vendimmarrja gjithmonë është rezultat i lojërave strategjike të këtyre qendrave të shpërndara përgjatë gjithë trupit të shoqërisë. Ideja se ekziston një qendër e vetme prej nga burojnë të gjitha, e mira apo e keqja, është një ide tanimë e kapërcyer. E kapërcyer në kuptimin se nuk i përgjigjet gjëndjes reale të gjërave.
Surroi, si studiues i letërsisë dhe shkrimtar, ka pasur rastin të arrij deri tek Fuko përmes leximit të Rolan Bartit, ideja e të cilit për vdekjen e autorit në literaturë ka influencuar teorinë e Fukosë për pushtetin, por si duket nuk ka arritur ende as deri tek Barti dhe strukturalizmi i tij, sepse, po të arrinte do të kishte mundësi të përmirësonte kualitetin e analizave të tij politike. Në këtë kontekst këshilla ime metodologjike është kjo: Veton, mos humb kohë kot me shkencat kognitive se të duhen shumë vite për t’u rënë në fije, janë disciplinë e vështirë akademike, zbuloje Fukonë nëse do ta kuptosh më mirë se çfarë është pushteti, si funksionon shteti dhe qeverisja e shoqërive në ditët tona.
Mjerimi teorik i Veton Surroit shihet edhe në lehtësinë me të cilën e përdor konceptin “shoqëri e dijes”. Duket qartë se, veç ndonjë fragmenti, nuk ka lexuar ndonjë gjë me vlerë nga disciplinat akademike ku ka lindur dhe është zhvilluar ky koncept. Edhe vetë ata që e kanë futur këtë koncept në vokabularin akademik, përdorimin e tij e shoqërojnë me vërejtjet për vështirësitë e këtij koncepti, ngase koncepti i dijes është aq i gjërë, saqë duhet të jesh intelektual sharlatan të kesh guximin të flasësh me siguri për atë se çfarë është dija! Koncepti i “shoqërisë së dijes”, parasegjithash, është i lidhur me evolucionin ekonomik, e jo më administratën e një ministrie arsimi. Një këshillë tjetër metodologjike : Veton, lexoje Peter Druckerin, njeriun që krijoj këtë koncept, së paku librin e tij “Shoqëria postkapitaliste”, dhe ke për ta parë se sa gabimisht e projekton këtë koncept në specifikat e realitetit kosovar.
Gjenealogjia e rezultateve të PISA-s
Po t’i linte me një anë meritë personale prej politikani të pasuksesshëm dhe po të përkushtohej për një mendim më serioz rreth çështjeve që i merr në shqyrtim, atëherë Surroi do ta kuptonte se rezultatet e PISA-s nuk janë rezultate që kanë mbirë brenda një nate, as nuk janë pasojë e një apo dy ministrave inkompetentë të arsimit, as e një mandati qeverisës, sado i mbrapshtë të ketë qenë ai, por janë rezultat i një procesi të gjatë historik, gjatë të cilit, si rrjedhojë e ngjarjeve të tjera dramatike, u shkatërrua sistematikisht sistemi arsimor në Kosovë.
Së pari është gjuha dominante e edukimit. Është e vërtetë se Universiteti i Prishtinës u themelua në vitin 1970, por, po ashtu, është e vërtetë se deri në vitin 1999, gjuha e shkencës në këtë universitet ka qenë serbishtja. Shumica absolute e literaturës, me të cilën janë shërbyer studentët, ka qenë në gjuhën serbe dhe praktikisht ka qenë, pothuajse, e pamundur që të diplomohesh nëse nuk e ke njohur serbishtën. Në fillim të viteve ’90, ky fakt u shndërrua në situatën tipike koloniale: Rruga e edukimit kalonte përmes gjuhës së pushtuesit. Efekti i parë: kompleksi i inferioritetit. Një sistem edukimi që të imponon një kompleks të tillë natyrshëm, shpie në situtatën e rënies së nivelit në edukim. Prej kohësh, sociologu britanik Basil Bernstein ka shpjeguar lidhjen kushtëzuese në mes kodit gjuhësor të grupeve sociale dhe cilësisë në edukim, por kush vallë mund ta ketë dëgjuar emrin e tij brenda komunitetit të strategëve, funksionarëve e matrapzëve të sistemit kosovar të arsimit!?
Së dyti, ndërtimi i sistemit paralel në vitet ’90-të, bazohej tërësisht mbi praktikën e improvizimit të mësimdhënies. Për dhjetë vite rradhazi, studentët dhe fëmijët e Kosovës, i janë nënshtruar një improvizimi sistematik në edukim. Të gjithë e dinin këtë fakt, por të gjithë e arsyetonin me idenë e rezistencës ndaj fashizmit serb. Në rend të ditës ishte mbijetesa kolektive, e jo standardet edukative.
Me të mbaruar lufta askush nuk u mor me trashëgiminë e improvizimit, tanimë të rrënjosur. Pëkundrazi, kjo trashëgimi do të vazhdonte me të njejtin ritëm, veçse tani në forma të tjera. U shfaqen lloj lloj reformatorësh të sistemeve të edukimit, të huaj e të brendshëm, të cilët në liri të plotë, shkollat e Kosovës i kthyen në laboratore të “ideve të tyre modernizuese”. Shumica prej këtyre reformatorëve ishin matrapazë fondesh e donacionesh, që preokupim të parë dhe të fundit kishin përfitimet e tyre financiare nga këto fonde e donacione. Me siguri të pakta duhet të jenë rastet në botë, ku janë mbajtur më shumë seminare, trajnime, workshop-e për çështjet e edukimit se sa në Kosovë. Dhe rezultati, jo që ka qenë zero, por edhe më keq, është krijuar një kaos total, në të cilin, në fund të ditës, askush nuk e dinte se çfarë bënte. Secila ministri e arsimit dhe secili ministër, kanë dështuar t’i japin fund këtij kaosi dhe improvizimi. Ky pra është procesi që solli rezultatet e PISA-s: një periudhë mbi 20 vjeçare e improvizimit total në fushën e arsimit. Kulminacioni i gjithë kësaj është arritur me lulëzimin e universiteteve private, të cilat, në pjesën dërmuese të tyre, janë dyqane të shitblerjes së diplomave dhe, pa asnjë dyshim, të gjitha partitë kanë pjesën e tyre në këtë krim masiv akademik që është bërë, e vazhdon të bëhet, mbi të rinjtë e Kosovës. Një rezultat tjetër i vlerësimit të cilësisë së edukimit nga PISA kërkon, si parakusht që në fillim, shkëputjen nga trashëgimia dhe kultura e improvizimit të gjërave. Kjo shkëputje, nuk mund të arrihet duke vënë në kryq tre katër njerëz, sa për të larë mëkatet e qindra e qindra të tjerëve, por me investime kapitale në fushën e edukimit, e këto kërkojnë, fillimisht, arritjen e një konsensusi gjithëpërfshirës politik e social, si dhe kontributin e secilit që di ndonjë gjë me vlerë duke përfshirë këtu edhe Surroin.