Kandidati i VV-së, në Mitrovicë tregon pse hyri në politikë

E publikuar: 16/09/2017 10:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Binjak në horoskop, i pëlqejnë barcoletat shumë, sidomos inteligjente dhe që nuk lëndojnë të tjerët, adhurues i muzikës klasike vazhdimisht, elektro, rapsodike me tematikë kombëtare dhe i zërit të arritur deri në perfeksion, si dhe di të këndoj vetë.

Është shumë këmbëngulës dhe i durueshëm, ndërsa kur ka mbetur pa para në jetë, ka huazuar. E pi duhanin, por jo edhe alkoolin. Nuk ka pasur të dashur kurrë, dhe nuk planifikon të ketë.

Ky është përafërsisht backgroundi më i shkurtër i Fehmi Feratit, kandidatit për kryetar të ardhshëm të Mitrovicës.

Ferati i cili pretendon postin e të parit të qytetit të Mitrovicës nga partia Vetëvendosje, gjatë një interviste ,ka treguar arsyen pse ka vendosur të hyjë në politikë, pse nën ombrellën e Vetëvendosjes, por ka rrëfyer edhe për planet, synimet dhe projektin e tij për Mitrovicën.

“Nuk e kam parë vetën më herët në politikë, por dëshpërimet personale, kohët e fundit që kanë ndodhur në qytetin tim, kanë bërë që të marrë vendim që të angazhohem pikërisht në subjektin i cili i ka mbetur konsistent qëllimeve dhe parimeve të veta”, ka thënë Ferati.

Ai ka mohuar mundësinë e dështimit të tij në këtë garë, duke thënë se garancë për këtë e ka punën, përvojën dhe angazhimin e tij shumëvjeçar, për të cilat tha se i ka bërë gjithmonë me nder.

Ferati foli edhe për konkurrentët e tij, për të cilët tha se janë njerëz të mirë të gjithë, por potencoi kreativitetin si virtyt që e dallon nga të tjerët.

Ai ka sugjeruar kandidatët konkurrentë të jenë të kujdesshëm në fjalorin e tyre gjatë fushatës, dhe të mos premtojnë gjëra të parealizueshme.

“Nuk i besoj dështimit, duke u bazuar në gjithë punën time, përvojën dhe të gjitha angazhimet personale. Gjatë gjithë jetës time kam punuar me nder, djersë dhe ballëhapur. Mitrovica i ka 10 kandidatë për kryetar komune. Unë personalisht i njoh si njerëz të mirë të gjithë, nuk shoh ndonjë konkurrencë që mund të shfaqin nga planet personale. Pres kreativitet dhe jo retorikë të vazhdueshme dhe të mërzitshme të këtyre fushatave 15 vjeçare. Kërkoj prej kandidatëve mos me gënjyer dhe mos me shfrytëzuar komunikimin me prek imagjinatën e qytetarit duke premtuar projekte që nuk realizohen sepse kjo nuk është morale dhe etike…Mendoj se e gjithë përvoja ime në fushën e biznesit, edhe të krijimtarisë, edhe në fushën e mediumit, të komunikimit strategjik do të më ndihmoj mjaftueshëm për me qeverisë komunën, duke njohur qytetin, lindur dhe rritur në qytet…i njoh mirë problemet”, tha ai.