Një lumë në Kolumbi paraqet një fenomen të vërtetë natyror që për vite po habit banorët e asaj zone, por edhe turistët nga e mbarë bota që po e vizitojnë për t’u bindur për bukurinë e tij.
Lumi Cano Cristales është unik për faktin se brenda tij mund të shihni ngjyrën e verdhë, gjelbër, kaltër, zezë dhe të kuqe, dhe të gjitha këto ngjyra i “prodhon” një bimë (Macarenia clavigera) që gjendet në fund të lumit, transmeton Telegrafi.
Secili që e ka vizituar këtë fenomen natyror e ka ndjerë në mënyrë të ndryshme, dhe kështu edhe vetë lumi ka marrë emra të ndryshëm si “lumi pesë ngjyrësh”, “ylberi i lëngshëm”, “lumi që ka ikur nga parajsa” dhe natyrisht “lumi më i bukur në botë”.
Ajo çfarë e bën interesant këtë lumë, është fakti se pjesën më të madhe të vitit nuk dallon nga cilido lumë tjetër në botë. Por, në një periudhë të caktuar, kur moti është më i mirë (mes pranverës dhe verës) ai sikur shpërthen disa ngjyra që i japin pamje unike!
Ky lumë për një kohë të gjatë ka qenë i mbyllur për turistë për shkak se forca të shumta guerile kanë qenë aktive në atë zonë. Por, që nga viti 2009 është hapur për turistë dhe me hapa të shpejtë është duke u bërë një nga atraksionet kryesore turistike në Kolumbi. /Telegrafi/