Shkruan Baton Haxhiu: Mashtrimi i paralajmëruar

E publikuar: 15/09/2017 15:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Teza “Më lehtë merresh vesh me një nacionalist agresiv si Gruevski sesa me një mashtrues kronik si Zaevi”, po del e saktë.


S’kemi si e injorojmë provën edhe më tragjike që na bind se strategjia e mashtrimit nuk mban vetëm firmën e Zaevit, por edhe atë shqiptare. Shumica e nënshkrimeve aty janë shqiptare, të sojit që në emër të të drejtave të barabarta edhe për shqiptarë tash e gati 30 vjet fitojnë jo vetëm vota, por edhe miliona, prestigj dhe famë.

Për atë deklaratën e bujshme të partive politike e kam fjalën. Dhe të gjithë ato pikat tjera, natyrisht. Ato për të cilat thuhet se i pranoi edhe Gruevski, me një përjashtim, duke refuzuar Prokurorinë Speciale, çka edhe çoi në dështimin e një koalicioni të mundshëm të partive shqipfolëse.

Se ç’bën e nxjerr në dritë Prokuroria Speciale e shohim çdo ditë: Asgjë! E them edhe pse dihet: pa një sistem të tërë gjyqësor të dekriminalizuar s’mund të ndodhë sot e askurrë diçka që mund të na lë shtangur nga habia.

U shkrua, u bë, u sajua ndonjë projekt konkret se si do të hetohen ndërkombëtarisht rastet si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra”, “Kumanova” e plot monstruozitete tjera të motivuara kryesisht nga urrejtja ndëretnike dhe fantazia e shërbimeve sekrete vendore e të huaja?

Çfarë ndodhi me “Komisionin Shtetëror për Financimin e Komunave”, “Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie me Komunitetet”?  

Ç’ndodhi me gjithë ato 7 pika e 19 nënpika të deklaratës, e më vonë marrëveshjes me Zoran Zaevin, më shumë se gjysma e të cilave ishte përzierje në kompetencat e BE-së e aspak pasqyrë reale e halleve konkrete të qytetarëve?

Ç’kërkonte katalogu i kërkesave të Brukselit ndaj shtetit në një dokument që synon të drejtat themelore qytetare të një etnie kulturore brenda një shteti etnokratik?  

Asgjë më shumë sesa të hedhësh një thes me germa për të dekoruar një asgjë.

Asgjëja është prodhimi i vetëm i partive politike shqiptare.

Një dreq e di se si kanë arritur kaq gjatë ta mashtrojnë elektoratin e vet gjithmonë vetëm duke riprodhuar asgjë.

Nuk flet kush më për përmbajtjen totale të deklaratës. Ose, flitet vetëm për një gjë. Për të drejtën e shqiptarëve që edhe gjuha e tyre të bëhet zyrtare. Harrohet konceptimi “Popull Shtetformues”. S’ka kush e kërkon.

Çfarë u bë me këtë pikë bazike, elementare?

Si përfundim: Gjithçka u harrua, vetëm çështja e gjuhës mbeti.

Kush e di çfarë do të jenin Zaevi dhe Ahmeti që as kjo çështje mos të përflitet në opinion.

Kjo nuk është akuzë dashakeqe për ta dëmtuar Ali Ahmetin apo dikë tjetër, por është konstatim kokëfortë, është logjikë e thjeshtë pas një llogaritjeje krejt të thjeshtë të asaj që ndodhë.

Sipas legjislacionit maqedonas Ligji për Gjuhën shkon në leximin e parë. Është planifikuar edhe një lexim i dytë si kusht për tu votuar. Gjatë leximeve teksti mund të modifikohet, ndryshohet – siç është e zakonshme.

Mirëpo, bazuar në agjendën dhe ritmin e punës së Kuvendit një votim i tillë mund të ndodhë veç pas zgjedhjeve lokale.

Duke e njohur këtë rrezik pse partitë shqiptare nuk kërkuan me ngulm që Ligji për Gjuhën të propozohet më herët, ta zëmë në qershor, por e lanë Zaevin që të thirret në Komisione të jashtme, i dhanë kohë për t’i aktivizuar të vetët ta arsyetojnë qëndrimin (si pala tjetër) se Ligji mund të jetë antikushtetues?

Ishte ky dështim dhe padije e partive politike shqiptare dhe mashtrim i lehtë për Zaevin?.

S’ka mundësi të jetë vetëm padije dhe diletantizëm – edhe pse kjo i shkon sidomos Ali Ahmetit.

Është mashtrim klasik, jo vetëm i Zaevit, kur kihet parasysh se as edhe ndonjë pikë tjetër e deklaratës (që ka të bëjë me të drejtat e shqiptarëve) nuk është vënë as si pikë diskutimi e lëre më të mendohet në projektimin konkret të ndonjërës.

Në këtë strategji mashtrimi duket se me vetëdije u involvuan të gjitha partitë, qoftë si sabotuese apo bartëse të deklaratës.

Nëse Ligji ndryshohet ai e humb çdo kuptim.

Kjo është e vërteta.

Kemi të bëjmë me një mashtrim standard dhe konform historisë së BDI-së dhe të gjithëve para, pas e përreth saj.  

Çka tash?

Do të tërhiqen nga pushteti partitë shqiptare kur masat e tyre përfundimisht do të binden se mashtrimi nuk ishte vetëm i Zaevit?

Qeveria ka shumë gjasa të mos prishet e me këtë nuk do të ketë as zgjedhje të reja.

Zaevi mund ta detyrojë kur të dojë Gruevskin ta “shpëtojë Maqedoninë” nga shqiptarët që duan t’ua shkatërrojnë “kombin» e bullgarit Goce Dellçev.

Gruevski e ka më lehtë se gjithçka tjetër ta pranojë një koalicion të madh për ta “shpëtuar shtetin” deri në zgjedhjet e ardhshme, për arsye se kështu rehabiliton veten, riorganizohet dhe lehtë fiton zgjedhjet kundër Zaevit pa shqiptarë.

Nëse ndodh kështu, shqiptarët do të humbin shumë.