“Këshilli i shkarkuar” provon të shkarkojë drejtorin e shkollës

E publikuar: 15/09/2017 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtarë të shkarkuar të Këshillit të Shkollës së Mesme Teknike “Presheva” në Preshevë kanë provuar të shkarkojnë drejtorin e shkollës së mesme teknike në këtë qytet.

Por, Islam Isufi, ka reaguar duke i akuzuar për manipulim anëtarët e shkarkuar që i përkasin Alternativës për Ndryshim e që janë shkarkuar nga kuvendi komunal i Preshevës si dhe dy anëtarë tjerë të grupit të ndarë nga Partia Demokratike Shqiptare.

“Tre anëtarë jolegjitim të APN-së (që janë të shkarkuar nga Kuvendi komunal i Preshevës) dhe dy të grupacionit të larguar nga PDSH, veprojnë në mënyrën më perfide antinjerëzore të shkaktojnë gjendjen kaotike në këtë vatër arsimore e cila është në rrjedhën më të mirë të zhvillimit të procesit edukativo arsimor të nxënësve në këtë komunë”, është shprehur Isufi, raporton televizioni lokal rtvpresheva.com.

Drejtori Islam Isufi tha se këta anëtarë kanë tentuar në mënyrë të dhunshme të pengojnë mbajtjen e mbledhjes së këshillit të kësaj shkolle nga anëtarët legjitim.

Po ashtu, sipas drejtorit Isufi, të njëjtit, me brutalitet përmes një deklarate kanë kërkuar shkarkimin e drejtorit.

Të paligjshmit, sipas Isufit, kurrë nuk do ta arrijnë këtë qëllim të errët për interesat e tyre grupore.

Isufi deklaroi se kryetari i këshillit të shkollës Selami Mustafa ka shtyer në afat të pacaktuar mbajtjen e mbledhjes tjetër, për shkak të anëtareve jo legjitim nga rradhët e APN-së.

Isufi udhëheq shkollën mesme teknike “Presheva” në Preshevë nga viti 2015.

Por, në një procesvebal të publikuar nga agjencia tjetër lokale e lajmeve presheva.com thuhet se në mbledhjen e këshillit drejtues është shkarkuar kryetari i këshillit drejtues Selami Mustafa si dhe është propozuar shkarkimi i drejtorit të shkollës Islam Isufi.

“Mbledhja e radhës për caktimin e personit që do të drejtoj shkollën do të mbahet kur të krijohen kushtet”, thuhet në një procesverbal të shkruar me dorëshkrim.