Pandeli Majko është dekretuar tashmë si Ministri i Shtetit për Disporën, një rol që ai tani e tutje do të duhet ta kryejë në mënyrë specifike, të papërzier me fusha apo sektorë të tjerë. Por, me se do të merret Majko këto katër vite të mandatit të qeverisë “Rama II”? Çfarë do të bëjë konkretisht?
Në datën 13 shtator, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit për Diasporën, në të cilin thuhet:
Këshilli i Ministrave vendosi se “Misioni i ministrit të Shtetit për Diasporën është të përfaqësojë e nxisë politikat e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me të gjithë shqiptarët, duke nxitur e fuqizuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetet ku ata banojnë.
Ministri i Shtetit për Diasporën e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
a) Organizimin, hartimin dhe zbatimin e politikës shtetërore për shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë dhe në shtetet ku ata banojnë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
b) Nxitjen dhe ndihmën për zhvillimin e komunikimit e të ndërveprimit të diasporës dhe shqiptarëve jashtë kufijve me përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet ku ata banojnë;
c) Promovimin dhe ndihmën në rritjen e zhvillimin e vlerave e të traditave më të mira shqiptare te bashkëkombasit jashtë kufijve shtetërorë;
ç) Bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare për shprehjen dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë;
d) Ndihmën në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar si dhe ndërmarrjen e iniciativave të promovimit të gjuhës, kulturës, traditave dhe çdo vlere kombëtare, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Kulturës;
dh) Koordinimin e procesit për të garantuar regjistrimin dhe të drejtën e pjesëmarrjes së diasporës në votime, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë;
e) Organizimin dhe drejtimin e krijimit të Agjencisë Shtetërore të Diasporës;
ë) Koordinimin e organizimit të Samitit Kombëtar të Diasporës si dhe të konferencave të tjera kombëtare e ndërkombëtare për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet diasporës dhe Shqipërisë;
f) Bashkëpunimin me ministritë përgjegjëse për të inkurajuar investimet e huaja në Shqipëri.
Ministri i Shtetit për Diasporën përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit brenda fushave të përgjegjësisë, sipas pikës 3, të këtij vendimi.”

















