Respekti si farsë

E publikuar: 23/08/2017 21:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bekim Jashari e ka “pshtu me ftyrë” Partinë Partinw ëë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, duke e shtyrë që të mos paraqesë kandidat për zgjedhjet e 22 tetorit. E gjendur në situatë të vështirë, me përçarje përbrenda, PDK duket se e pati më së lehti të arsyetohet duke thënë se nuk do të kandidojë askënd për kryetar komune, por do ta mbështesë Jasharin, si kandidat i pavarur. U tha se ky hap po ndërmirrej në shenjë respekti për Jasharët. Por gjithçka tingëllon veç farsë, e jo më shumë.

Për vite me radhë animoziteti ndërmjet Jasharëve dhe njerëzve të PDK’së ka qenë aq i shprehur, sa që kanë munguar madje edhe vizita kurtoazie në data të shënuara të zyrtarëve të kësaj partie në kullën e familjes simbol. Tash, përnjëherë, shfaqet respekti që njerëz të PDK’së paskan për Jasharët, për pinjollin e kësaj familjeje.

Gara për të parin e komunës nuk është garë respekti, por garë idesh e vizioni. Andaj, tërheqja nga gara është dorëzim. Në Skënderaj, PDK u dorëzua ende pa filluar gara.

Por, kush do ta mbështesë Jasharin për të parin e komunës drenicake? Sigurisht, shumica e mbështetësve të tij do të jenë votues të PDK’së. Nuk përjashtohet mundësia që të jetë arritur edhe ndonjë marrëveshje paraprake ndërmjet tij dhe PDK’së.

Partisë së Kadri Veselit i janë shfaqur probleme pikërisht në bastione, Drenas e Skënderaj. Në fakt, rënia e partisë, që u konfirmua më pas në zgjedhjet e përgjithshme të 11 shtatorit, nisi në Drenas. Atje edhe tash ka mospajtime të mëdha, pas rikandidimit të Ramiz Lladrovcit. Andaj, Jashari në Skënderaj ka kandiduar në momentin e duhur për PDK’në.

* * *

Më shumë farsë sesa respekt mund të konsiderohet edhe zgjedhja e një numri edhe ashtu të vogël grash që do të kandidojnë nëpër komuna. Është e pakuptueshme se si parti politike, si Vetëvendosja, nuk mund ta gjejnë një grua të vetme, të denjë për të kandiduar për kryetare të ndonjë komune. Është e pabesueshme se si LDK ia jep rastin vetëm një gruaje që të kandidojë në një komunë periferike të vendit. Ndërkohë, karahasuar me partitë tjera, PDK ka kandiduar tri gra për kryetare. Natyrisht, i befasishëm ishte emri i kandidates në Mitrovicë.

PDK po kërkon me çdo kusht ta kthejë Mitrovicën, një komunë shumë e rëndësishme për secilën parti. Por, pavarësisht vendimit të kujdoqoftë për të kërkuar vota për të parin e komunës, ndryshimi nuk mund të pretendohet se bëhet duke kandiduar nën logon e partive të korruptuara e të kriminalizuara. Opsionet e tilla duhet përçmuar, e jo përqafuar.

Kur zyrtarë të partive deklarojnë se ndonjë kandidat për kryetar komune e kanë zgjedhur për shkak të respektit që kanë për të, duhet kuptuar se ata kanë vepruar kështu jo pse e kanë fort dert respektin ndaj dikujt, por e kanë hallin se si të përfitojnë nga këta emra.

Partitë politike, sidomos PDK’ja, problemet më të mëdha i kanë në komunat ku ka qeverisur me kryetarë që kanë probleme me ligjin. Kjo do të bëjë që edhe kandidatët e rinj, që mund të jenë profesionistë e të pastër moralisht, do t’i përcjell trashëgimia e keqqeverisjes së paraardhësve të tyre.

* * *

Po nga halli, e jo nga respekti për qytetarët, partia e Kadri Veselit me partnerët e PAN’it po e bllokojnë edhe konstituimin e institucioneve të reja. Ata vetë imponojnë datën e seancës së Kuvendit dhe vetë e bojkotojnë atë. Thonë se i kanë votat e mjaftueshme, ndërkohë që i fajësojnë të tjerët që nuk po ua sigurojnë ato.

“Është koha që partitë politike dhe udhëheqësit e tyre të reflektojnë dhe t’i pranojnë rregullat e lojës që na i ka përcaktuar kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese dhe ta zhbllokojmë vendin”, deklaroi të mërkurën pretendenti për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Por, pikërisht PAN nuk po i pranon rregullat e lojës të përcaktuara nga kushtetuta. Ky koalicon, edhe pse nuk i ka votat e mjaftueshme, po përpiqet me çdo kusht që të zvarrit krijimin e institucioneve në vend që, sipas rregullave kushtetuese, t’u lëshojë rrugë të tjerëve.

Është jokorrekte dhe e pandershme që PAN të fajësojë të tjerët për bllokadë, ndërkohë që vetë nuk ndërmerr kurrfarë hapash për zhbllokimin e situatës.

Kjo qasje shpërfaq arrogancën e këtyre partive politike, të cilat janë në gjendje të bllokojnë gjithçka, vetëm të mbeten ose të vijnë në pushtet. Qytetarët nuk e kanë luksin që të mbeten peng i apetiteve të sëmura për pushtet. Ata e kanë dhënë votën e tyre që institucionet të krijohen sa më shpejt dhe të punohet për përmirësimin e jetës së tyre. Farsat e pështira nuk iu interesojnë.