Bajram Gecaj, ish-zëdhënësi i liderit të LDK-së dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa, e ka komentuar situatën e ministrit serb Nenad Rikallo, i cili u akuzua nga disa qytetarë të Prishtinës se i kishte terrorizuar ata dhe disa studentë gjatë luftës në Kosovë.
Gecaj ia ka kujtuar kryeministrit të ri të Kosovës Ramush Haradinajt kohën kur ai dhe “opozita e bashkuar” kërkonin shkarkimin e Aleskander Jabllanoviqit, atëbotë ministër për Kthim dhe Komunitete.
Ky i fundit i kishte ofenduar nënat kosovare të cilat kishin dalë në një proteste në Gjakovë.
Gecaj ka thënë se më e pakta që mund të bëjë Kryeministri Haradinaj do të ishte, në këtë rast, suspendimi i ministrit të dyshuar Rikallo, deri sa organet e drejtësisë ta thonë fjalën e tyre.
“Nëse gjykatat do të vërtetonin atë që po e dëgjojmë nga mediat për Ministrin Rikallo, diskutimi për shkarkimin e tij do të ishte i pakuptimtë, pasi që në një rast të tillë ai do të kualifikohej si kriminel lufte. Më e pakta që mund të bëj Kryeministri Haradinaj do të ishte, në këtë rast, suspendimi i tij deri sa organet e drejtësisë ta thonë fjalën e tyre. Mos të harrojmë se dikurë z. Haradinaj, me “opozitën e bashkuar”, desh e kalli Kosovën për një fjalë goje të Jabllanoviqit (edhe pse e papranueshme). Për shumë më pak, Kryeministri Mustafa shkarkoj tre ministra serb. Të na provoj tani z. Haradinaj trimërinë dhe mos-varshmërinë e tij nga Beogradi”, është shprehur ai në Facebook.
















