Në fakt, kur vjen puna që dhunën me e “dënu” vetëm me fjalë më mirë është të kursehemi nga ky veprim sepse nuk ka asnjë vlerë apo efekt. Përkundrazi, “dënimi” i dhunës vetëm me fjalë është mesazhi më i keq që mund t’iu dërgojmë dhunuesve, se dhuna e tyre do të harrohet pas “drejtësisë” që i bëhet me një cikël reagimesh publike.
Dhuna dënohet me ligj dhe atë vetëm në gjykatë!
Sipas ligjit dhuna është e dënueshme si ndaj një fëmije, si ndaj një gruaje ashtu edhe ndaj një burri. Dhunën në baza gjinore apo me rezervime tjera e dënojnë vetëm shoqëritë fisnore apo grupet kriminale të cilët dhunën mundohen ta “arsyetojnë” me një “etikë” për përdorim të dhunës, përkatësisht me ndonjë “rregull” të vet-shpikur se dhuna në përgjithësi është e lejuar por jo, për shembull, dhuna ndaj fëmijëve dhe grave apo dhuna në prag të shtëpisë.
Ky relativizim i dhunës e legjitimon dhunën për shkak se debati për dhunën përqendrohet jo tek kundërligjshmëria e dhunës por tek shkelja e “etikës” gjatë përdorimit të dhunës.
Në bazë të raportimeve mediale që lexova deri më tani – përveç deklaratave akuzuese të akterëve partiak – nuk hasa në ndonjë indikacion se dhunën ndaj bashkëshortes së Ministrit Stavileci e ka shkaktuar ndonjë parti, në përgjithësi, apo Vetëvendosje, në veçanti. Rrjedhimisht, “akuzimin” e Vetëvendosjes për këtë vepër penale nga kundërshtarët politik e konsideroj të nxituar.
Thënë këtë, duhet të pranohet se Vetëvendosja e ka prezantuar dhe “legjitimuar” dhunën si instrument politik gjatë katër viteve të fundit. Këtë konstatim e bazoj në formën më të “butë” të dhunës – sulmin me vezë – të cilën Vetëvendosje me krenari e ka përdorur vitet e fundit ndaj kundërshtarëve politik, gjithnjë me ndonjë arsyetim “fisnik” apo për “interes kombëtar.”
E di, shumë kujt sulmi me vezë mund t’i duket i parrezikshëm. Çfarë dëmi mund të bëjë një vezë, mund të pyet dikush?
Sulmi me vezë është ritual i atentatit. Kjo për shkak se i përmban të gjitha elementet përbërëse të atentatit, si në vijim: (a) shënjestrimin e subjektit; (b) përcjelljen e subjektit; (c) ngritjen e pusisë; dhe (d) sulmin/cenimin e integritetit trupor.
Sulmi me vezë synon të frikësoj subjektin e shënjestruar duke i kujtuar atij/asaj lëndueshmërinë e vet deri në eliminim fizik. I vetmi dallim ndërmjet sulmit me vezë dhe atentatit është që në të parin subjekti i shënjestruar goditet me vezë, ndërsa në rastin e dytë me plumba. Dallimi është pak i rëndësishëm pasi që sulmi me vezë shpesh e arrin efektin e atentatit, frikësimin/heshtjen/eliminimin politik të subjektit të shënjestruar.
Përdorimi i dhunës si instrument politik nga Vetëvendosje është legjitimuar edhe nga partitë tjera politike, në krye me PDK-në, të cilët në reagimet e tyre më shumë janë marrë me shkeljen e “etikës” gjatë përdorimit të dhunës se sa me dhunën si vepër penale. Gjatë “dënimeve” publike të akteve të dhunshme të Vetëvendosjes, PDK dhe partitë tjera kanë dënuar dhunën jo domosdo pse është vepër penale por për shkak se është kryer ndaj një grupi të caktuar apo në një vend të caktuar. Ky reagim ka nënkuptuar se dhuna është e lejueshme nëse përdoret brenda “etikës” fisnore. Po ashtu, PDK dhe partitë tjer janë përgjegjëse për “legjitimimin” e dhunës si mjet politik edhe për shkak se tolerimin e dhunës e kanë keqkuptuar si pjesë të demokratizimit të shoqërisë, pra kanë konsideruar se do të dalin keq para elektoratit nëse insistojnë në dënimin e dhunës si vepër penale.
Sundimi i ligjit nuk nënkupton eliminim të plotë të krimit, në përgjithësi, apo akteve të dhunës, në veçanti. Sundimi i ligjit matet me kapacitetin që një shoqëri ka ta ndjekë dhe dënoj secilin krim dhe/apo akt të dhunës. Kjo do të thotë se krejt çka kërkohet prej nesh është që krimin dhe aktet e dhunës t’i denoncojmë penalisht – pa asnjë rezervë apo kualifikim – kurdo që i hasim dhe që pas denoncimit t’i kontribojmë administrimit të drejtësisë duke kërkuar drejtësi dhe duke dëshmuar në rast se jemi përfshirë në ndonjë proces gjyqësor.
(Autori është jurist)