Para dy ditësh, Artan Fuga, nga pozicioni i anëtarit të Akademisë së Shkencave, ngrinte zërin kundër mënyrës se si janë përgatitur e po mbahen zgjedhjet e drejtuesve të kësaj Akademie, por edhe kundër mënyrës se si kjo e fundit funksionon. Është për të ardhur keq që nuk ka gjetur mbështetje në botën akademike, gjë që është shenjë më vete se çfarë Fuga thotë është e vërtetë: Ajo Akademi ose duhet të reformohet, ose duhet të mos ekzistojë. Dhe sikur të mos mjaftonte fakti që askush nuk i bëri jehonë shqetësimit (shqetësimeve) të Fugës, është edhe ky i fundit që bën çmos ta largojë vëmendjen prej debatit që ai vetë tentoi të hapte. Këtë e bëri nëpërmjet një denoncimi publik mbi një kërcënim që gjoja paska marrë.
“Po më kërcënojnë; po më thonë: qepe ose largohu”, bënte me dije ai në një shënim të tijin në facebook. Dhe kaq u desh që të gjithë të merreshin me kërcënimin që na i qenka bërë Fugës nga dikush në facebook. Në një numër portalesh ishte publikuar i plotë edhe “kërcënimi”.
E futa në thonjëza fjalën “kërcënim”, ngaqë në të vërtetë nuk bëhet fjalë për ndonjë kërcënim. Elda Muçollari (ky është emri që anonimi ka zgjedhur për t’u identifikuar virtualisht) është shfryrë e zbrazur në stil të lirë kundër Fugës, por nuk ka lëshuar asnjë kërcënim. Ajo merrej vesh se fliste në emër të dikujt që ishte i interesuar për të mbrojtur status quo-në në Akademi, që mezi pret zgjedhjet e datës 4 shtator për të bërë të mundur rokadën e çuditshme mes kryetarit e nënkryetarit, që ndihet mirë që gjërat rrjedhin në mënyrë jo transparente në Akademi, e kështu me radhë.
E duhet thënë se njerëz të tillë nuk është e thënë të motivohen veç nga ndonjë interes i tyre. Jo gjithnjë. Në ndonjë rast kundërveprojnë edhe nën shtysa konservatore, për të mos thënë reaksionare. Ata thjesht nuk pranojnë që dikush t’u prishë rendin e gjërave, e në këtë kuptim nuk është se ky rend i vjetruar gjërash përbën domosdoshmërisht një karar të madh në jetën e tyre. Jo, mund të qëllojë që të jetë thjesht rendi i gjërave, me të cilin janë mësuar. T’ua prishësh, është si t’u rrëzosh qiejt mbi krye.
Për ta përmbledhur, reagimi i asaj internatues ishte i shpifur. Ishte i tillë në gjuhë, stil, logjikë. Por nuk ishte kërcënues. Fuga, për ta nxjerrë si kërcënues, ishte përpjekur që ta sintetizonte me një titull (“Pusho ose ik!”, ky ishte titulli), por edhe i sintetizuar në këtë mënyrë reagimi nuk del si kërcënues. Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, predikati “kërcënoj”, prej të cilit vjen substantivi “kërcënim”, ka kuptimin: “Përpiqem t’i fut frikën dikujt duke e paralajmëruar se do të përdor dhunën a mjete të tjera shtrëngimi; afrohem për t’i bërë dikujt një të keqe, për ta dëmtuar a për t’i sjellë fatkeqësi”.
Bazuar në këtë, merret vesh se nuk kishte në shënimin e atij robit virtual asgjë të përafërt me kërcënimin. Nuk kuptohet mirë pse Fugës i ka pëlqyer të llastohet e të viktimizohet. Madje, mbështetja që mori pas llastimit (asnjërit prej atyre që i dolën në mbrojtje “Fugës së kërcënuar” nuk i shkoi mendja t’i jepte të njëjtit person mbështetje në revoltën e tij ndaj Akademisë) e përndezi Fugën deri në atë pikë sa të shihte në këtë mes edhe punë për organet e specializuara. “Nëse e gjykojnë se mund ta bëjnë”,- shkruante Fuga, duke iu referuar këtyre organeve.
Do doja shumë të dëgjoja nga goja e Fugës se çfarë ka në këtë fabul që t’i bëjë organet e specializuara të vihen në lëvizje. Fraza më e egër në atë letër facebook-u dërguar Fugës ishte: “Hiq dorë nga titulli akademik, kështu çliron ndërgjegjen tënde…”. Unë nuk gjeta një frazë tjetër më kërcënuese. Jam i sigurt se edhe Fuga, nëse nuk është pushtuar nga paranojat, fobitë e hipokondritë, nuk ka gjetur ndonjë frazë tjetër më kërcënuese se kaq. Sepse nuk ka patur ç’të gjente. Mirëpo Fugës i ka pëlqyer kjo lodër. Dhe prandaj i ka rënë edhe dje, pas mbështetjes që mori.
Kam përshtypjen që atë shënimin e djeshëm Fuga e kish shkruar vetëm për atë paragrafin e fundit: “Falenderoj edhe figurat publike që këtë rast të përbuzshëm e trajtuan gjerë si një çështje që lidhet me lirinë e fjalës, e cila padyshim ka pengesat e veta arbitrare në institucione dhe agjenci të ndryshme, si efekt i këtij tranzicioni të gjatë dhe pa mbarim, e këtu një falenderim të sinqertë dhe miqësor për z. Sali Berisha, i cili pati ndjeshmërinë karakterizuese për ta shtruar edhe njëherë lirinë e fjalës intelektuale, të të gjithë profesorëve, akademikë, gazetarëve, artistëve, shkencëtarëve, si një vlerë e shtuar, e cila duhet të gëzojë hapësirat e duhura të munguara, jashtë lincimeve të fshehura ose të hapura publike, si edhe marrjen e saj në konsideratë kundër injorimeve dhe trajtimeve inatcore e hakmarrëse”.
Vini re: Z. Sali Berisha pati ndjeshmërinë karakterizuese për ta shtruar edhe njëherë lirinë e fjalës intelektuale!!!! Ndjeshmërinë…!!!! Edhe njëherë tjetër…!!!! Fiu! Tjetri paska pritur vitin 2017 për të zbuluar ndjeshmërinë karakterizuese të z. Sali Berisha që na u shpaloska edhe një herë si njëherë. Ec aty, Fuga! Çudite edhe njëherë dynjanë me “ndjeshmërinë tënde karakterizuese” për zotërinë në fjalë!
Por po e lë këtë diskutim, pasi nuk më frymëzon fare. Po kthehem tek argumenti. Për të ripërsëritur se reagimi i asaj zonjës në facebook ishte banal sa s’kish ku të shkonte më shumë, por nuk ishte hiç kërcënues. Zhurma mbi kërcënimin ishte një sendërgjí e pashijshme. Një gjest prej llastice. Që është mirë të mos ushqehet më. Çfarë duhet ushqyer e mbështetur, është nevoja për debatin mbi Akademinë e Shkencave. Nga brenda këtë po e bën Fuga. Nga jashtë duhet ta bëjmë ne të tjerët. Pa qenë akademikë. Sepse nuk ka nevojë të jesh akademik për të kuptuar se Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë është një institucion i sklerotizuar e i mumifikuar.
/Mapo.al