Etnocirku shqiptar i Zaevit

E publikuar: 14/09/2017 06:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zaevi dhe partitë shqiptare. I pari përpiqet ta bëj shtetin sipas modelit të tij, të dytët i ndihmojnë pa kushte. Së paku, për momentin, ky është efekti neto. E rezultati? Si do të përfundojë kjo simbiozë parapolitike – përgjigja e kësaj pyetjeje vizatohet nga gri deri në zi?
Specialistët e brendshëm parashikojnë divorc edhe më të dhimbshëm se më herët, më të keq se atëherë kur partitë joshqiptare nuk synonin edhe etnorajonet e shumicës “pakicë”. Stërkeqjen e radhës e siguruaka sidomos rigënjimi i të mashtruarve historik që vullnetarisht marrin pjesë në lojë, si duket për të shfryer herë pas here frustrimet dhe agresionin ndaj vetes; natyrisht me shpresën se një herë do t’i prek mëshirshëm edhe ata katarsisi përfundimtar- ndryshe ec e sqaroje dukurinë.
Ekspertët e jashtëm ndërkaq shpresojnë, respektivisht shohin ëndrra ku Zaev nuk bën mashtrime së paku në relacion me jetësimin e të drejtave themelore të shqiptarëve. Përndryshe, sipas tyre, vendi përfundimisht rrezikon të mbetet në zonë jashtë BE-së dhe me këtë tavolinë eksperimentesh drejt zhbërjes dhe lëvizjes së kufijve.
Përtej këtyre skenarëve analitikë, kur studiojmë me përpikëri sjelljet e Zaevit në raport me shqiptarët na duket vërtet se beson që nëpërmjet strategjisë së sforcimit të subidentiteteve politike e kulturore (=fragmentarizimin e kompaktësisë shqiptare për ta bërë ekuivalente të shumicës së parë, si konglomerat që i bashkon vetëm e drejta qytetare e jo kultura) t’ua marrë votat shqiptarëve dhe nëpërmjet pajtimit me mohuesit e identitetit të shtetit maqedon ta sovranizojë atë përfundimisht dhe pastaj do të rinis sërish rikonfigurimin brenda: ndërtimin e shtetit të kombit maqedon – pavarësisht përmbajtjes.
Do t’ia dalë?
Greqia dhe Bullgaria i ulën shpatat. Serbia humbi luftën diplomatike për t’ia mbajtur zjarrin ndezur Rusisë. Shqiptarët vazhdojnë të përçarë dhe të pafaktorizuar. Gjithçka si duket ecë në favor të politikës së Zaevit, kështu del kur bastisim hartën e veprimeve të kryeministrit të ri.
Gabim. S’do t’ia dalë. Pse?
Ngase partitë aktuale shqiptare atje më së paku janë pasqyra e asaj që ndodhë vërtetë në masë dhe për arsye të (mos)veprimit të etnosferës. Partitë si ashtu – për përjashtim – kanë të njëjtën kauzë historike si deri tani: ngarendjen pas posteve dhe privilegjeve dhe gjithçka tjetër thuhet se e kanë pozë. Kështu flasin shumica që i pyesim në terren, pa dallim përkatësie partiake.

II.
Aleanca për Shqiptarë zhgënjen bazat. Pikërisht ato zona me dendësinë më të madhe. Ende pa futur sa duhet njërën këmbë në pushtet ajo ofroi të njëjtën çifteli me rapsodë po aq të këqij sa ata të konkurrencës së saj. Saora kryetarët e degëve u bënë drejtorë, pa konsultime me elektoratin e tyre, pa konkurse transparente dhe pa protokolle. Në Ministritë ku janë kyçur me personel politik nuk ndodhë asnjë rokadë drejt profesionalizimit të strukturës dhe heqjes së keqpërdoruesve që popullojnë sidomos ministritë më nevralgjike. Aty ku ndodhin ndryshimet, rekrutimi i kuadrove është filcokratik – me njohësi e jo sipas kritereve të tregut dhe me transparencë rekrutimi. Thirren shokë nga bota sikur të ishin në luftë për mbrojtjen e kullave nga ziliqarët vendorë. «Nuk mund ta besoj kurrë se një zorraxhi qe flet turqishten në familje paska hall legalizimin e gjuhës shqipe», na thotë plotë nerv një gostivaras. Citati na tregon për një racizëm instiktiv – jo ideologjik – porse ai është prezent masivisht qoftë edhe në nivelin e paradoksit kuazilogjik nuk e mohon dot kush. Akuzë kjo që iu drejtohet një pjesë kryesore të hierarkisë së Aleancës për Shqiptarë dhe nëpërmjet së cilës aludojnë edhe në joseriozitetin ose demagogjinë e liderit të Aleancës. Çka për të si e tillë nuk qëndron por që në treg shkon.
Justifikimi se partia është e re dhe nuk ka kuadro nuk shkon. Në zgjedhjet lokale që vijnë as minimumin kështu siç vepron nuk do ta nxjerr.
BDI do të tkurret edhe më. Për këtë nuk ka dilemë kush. Ndoshta do të kishte rigjeneruar sikur të kishte organizuar kuadro të reja dhe kualitative e jo vetëm “besnikë të verbër” të liderit mirëpo intelektualisht gypa pa përmbajtje dhe që s’mund të bëjnë diçka në favor të shqiptarëve. Në masë, përkrahës gjen vetëm në ato taborë që votojnë për inat të tjerave e jo se besojnë në programin e partisë apo personelin që ofron.
BESA i ka hyrë një retushimi të rëndë për t’u dukë sa më proshqiptare. I dogji gjitha kartat me fe dhe Turqia nuk currilon më lekë. As tjerët. Përkundër buxhetit ende shumë më të madh se tjerët ajo nuk do ta kaloj Çairin me dominim. Likova dhe rajonet tjera të Kumanovës kanë nisur të tërhiqen ngase kuptuan lojën e ish fraksionit të BDI-së që operoi manipulueshëm me atë që andej më theksueshëm konsiderohet e shenjtë – besimin e njerëzve. Për shkak të obligimeve kjo parti është e detyruar të luajë rolin e satelites herë të Zaevit e herë të Gruevskit (Mijallkovit). Se a do të shpëtojë edhe nga kjo gjendje pa dëme të mëdha siç shpëtoi nga Turqia dhe Katari pritet të shihet.
PDSH gjasa të mira ka në Pollog, për shkak të riorganizimit të një gjenerate të re që konsiderohet si pasardhëse e Arbër Xhaferrit, por në zanafillë dhe nuk dihet sa i dal me Menduh Thaçin në krye të etablohet. Në këtë pjesë të elektoratit PDSH mund të fitojë vota edhe për shkak të dështimit të Aleancës dhe BDI-së për ta mbajtur bazën lidhur për veti.

III.
Kjo është gjendja në vija të trasha e partive shqiptare në Maqedoni, pas zgjedhjeve të fundit. Zaevi e ka lehtë nëse situata mbetet kështu. Ajo mund të rrisë votat dhe të fitojë komuna. Zijadin Sela duket ta ketë kuptuar këtë gjendje prandaj ecë nga selia në seli për të rigrupuar spektrin shqiptar. Pa gjasa eventuale. BESA ngase ka obligime, por as tjerat se s’kanë me front efektiv në terren. Për të qëndruar vetë në front s’ka kuadro ose të brishta dhe kontradiktore. Flitet se ndodhin aderime masive kuadrosh të përgatitura dhe të pastra, deri më tani mirëpo nuk ka vend për shumë shpresa. Paralelisht euforia e masave pro liderit Sela zbehet nga afektet në bazë.
Gjendjen politike dhe statusin e shqiptarëve në Maqedoni nuk e shpëton një letër dhjetëpikëshe drejtuar palës tjetër. Partive shqiptare u duhet një strategji themelore gjithëpërfshirëse që do të çonte në një kontratë (ndryshe nga ajo e Ohrit) se me ç’kushtesh hyjnë pranojnë shqiptarët ta ndërtojnë ndonjë Maqedoni qytetare e si jo.
Pra do t’ia dalë Zaevi?
Kjo do të shihet pas rolit të tij për Kosovën në UNESCO, implementimin e gjuhës shqipe, të cilin aktualisht më shumë e saboton se ndihmon. Pas këtyre dy çështjeve Zoran Zaev ose lidh marrëveshje me shqiptarët ose rrezikon shtetin edhe më shumë se Gruevski. Bullgarët dhe grekët ia detyrojnë emrin, ndërsa shqiptarët përmbajtjen, ekzistencën. Kulturosfera shqiptare (shtetet dhe rajonet tjera) do të detyroheshin ta braktisin pajtimin për një Maqedoni qytetare – kështu duke bërë luftë të përbashkët me armiqtë e tyre serbë – pasi të bindeshin se ajo mëtohet të ndërtohet në kurriz të shqiptarëve, me asgjësimin e të drejtave kulturore të tyre. BE propagandon lirinë dhe njohjen reciproke të kulturave dhe identitteve dhe gjithçka nis me gjuhën dhe liritë elementare. Ajo nuk pranon dot një shtet etnocentrik që përjashton gjysmën e qytetarëve të saj. Nëse Zaev neglizhon postulatin e Rousseau-së që thotë se «Liria është një e drejtë që bazohet në marrëveshje» atëherë shteti i tij «qytetar» është i pamundshëm. Qytetarët rëndom nuk bëhen prej balte por janë njerëz, e në rastin e Maqedonisë shumica faktike dhe më kompakte është ajo shqiptare e jo greke e bullgare e më hiç turke.
Zaevi e ka nisur gabim. Nëse beson se mund të manipuloj me partitë shqiptare dhe suflerët e tij brenda le ta heq nga truri se mund të tallet me kulturosferën shqiptare, e cila ka triumfuar edhe ne procese shumë më të rënda se sa ndonjë përballje me Maqedoninë.
Përndryshe: Viti 2018 edhe në Maqedoninë shqiptare do të jetë ai i Skënderbeut.