Përballje gjithëpërfshirëse ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm

E publikuar: 13/09/2017 23:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duhet larguar plotësisht ideologjinë manipulative të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë. Ideologjinë e interpretimeve jo-alternative dhe krejtësisht rigjide të interpretimeve fetare, e cila ka bërë që më shumë se 60 qytetarë të Kosovës të vriten në Siri e Irak. Që ka bërë të vajtojnë më shumë se 60 nëna shqiptare në Kosovë.

Kjo duhet të jetë një prej detyrave kryesore të institucioneve të reja, tërë elitës politike dhe bashkësive fetare e shoqërisë civile. Në nivel qendror e në nivel lokal.

Dhe, këtu nuk duhet pasur as edhe një dilemë të vetme. As dilemë politike, as ligjore, as të veprimeve dhe, mbi të gjitha, asnjë dilemë kadrovike. Vendimmarrja politike nuk duhet të jep asnjëlloj hapësire kalkuluese apo urrejtje-nxitëse.

Kemi parë deri më tash jo pak raste. Nuk duhet të shohim më tutje asnjë rast.  

Për këtë, duhet pasur qasje komplete dhe jo të izoluar. Një qasje krejtësisht gjithëpërfshirëse për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë, për të zvogëluar dëshprimin qytetar me nivelin e përgjithshëm të institucioneve publike dhe veçanërisht në qeverisje, për të rritur shpresën se Kosova do të triumfojë përballë vështirësive momentale.

Një qasje serioze për të promovuar traditën tonë historike, kombëtare dhe të bashkëjetesës fetare është një prej mënyrave të efektshme për të parandaluar radikalizimin në këtë fushë. Kjo përpjekje komplete përfshin edhe uljen e tensioneve midis shteteve në Ballkan, edhe përfundimin e ideve dhe agjendave territoriale nga Serbia, sepse këto agjenda rikthejnë problemet mes nesh. Pa nevojë dhe në kundërshtim të plotë me aspiratat e popujve ballkanik për integrime euro-atlantike.

Në përgjithësi, një gjë është e qartë:

Ideologjia e tillë manipuluese po vazhdon të shfrytëzojë të metat e qeverisjes tek ne. Po vazhdon të keqpërdorë problemet dhe vështirësitë që qytetarët tanë po hasin për çdo ditë, në mungesë të perspektivës dhe në mungesë të besimit në institucionet tona publike.

Largimi i këtyre dhe ‘argumenteve’ tjera sigurisht se do të ndihmojë dukshëm në zbehjen dhe largimin e efektit që ka narracioni i përdorur nga ideologjitë ekstremiste. Cilado qoftë ajo ideologji, duke përfshirë edhe këtë të interpretimit jo-alternativ të besimit fetar.

Kundër-narracioni nuk është diçka e izoluar. Kthimi i besimit publik në institucione, në perspektivën e seciles dhe secilit qytetar, në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, në liritë civile dhe sigurinë humane normalisht se do të mund të ndikojnë dukshëm në zbehjen e kësaj ideologjie vdekjeprurëse.

Është e qartë se deri më tash kanë ndodhur veprime të ndryshme institucionale dhe shoqërore për të përballur ideologjinë e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie ne terrorizëm. Porse, nuk është zgjidhur problemi. Nuk është mënjanuar rreziku që këto lëvizje ideologjike paraqesin për shtetasit e Kosovës dhe sigurinë kombëtare.

Për më shumë, rajoni ynë ballkanik vazhdon të përballet me sfida të ndryshme. Pavarësisht se dallojnë specifikat nga shteti në shtet, përmbajtja e këtyre sfidave globale është e njëjtë si në parim, po ashtu edhe në qëllime. Ekstremizmi i Dhunshëm, Radikalizmi dhe Terrorizmi janë njëra prej sfidave më të thella me të cilat po përballemi ne të gjithë në Ballkanin Perëndimor.

Nuk ka lindur këtu kjo sfidë. Nuk është thirrje me motive ballkanike. Kjo është e qartë dhe kjo është e pjesa e mirë e stories.

Kjo sfidë është importuar në Ballkanin Perëndimor. Ku më shumë e ku më pak. Por, në të gjitha shtetet veç e veç dhe ndaj të gjithave së bashku.

Terrorizmi global nuk është një çështje e lehtë për t’u luftuar, e thatë përbrenda apo e qartë për t’u kuptuar. Nuk arrihet në nivel të terrorizmit pa pasur një proces paraprak. Dhe, kjo fazë e ndërmjetme nga shumë autorë cilësohet si procesi i radikalizimit.

Në kët proces të radikalizimit, të gjithë ne së bashku kemi nevojë për të kuptuar më shumë detaje, më shumë motive dhe më shumë situata ndikuese.

Sidoqoftë, sikurse është e njohur, shteti i Kosovës dhe shoqëria kosovare ka ndërmarrë veprime për të përballuar këtë sfidë.

Janë tri dimensione veprimesh institucionale dhe shoqërore që janë ndërmarrë deri më tash.

Së pari, institucionet e Kosovës kanë miratuar një kornizë jashtëzakonisht të mirë ligjore në përballimin me këtë sfidë.

Vlen të përmenden dy ligje tejet të rëndësishme: ligji që ndalon bashkimin në luftërat e huaja dhe ligji për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Kodi Penal, po ashtu, është mjaft i dobishëm në përmbajtje për të luftuar këtë të keqe globale me specifika rajonale.

Së dyti, institucionet e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë kanë dëshmuar përkushtim dhe profesionalitet të pakrahasueshëm me sfidat tjera, si shembull korrupsionin. Pra, qartësisht, luftimi i kësaj sfide nga institucionet e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë është trajtuar me nivelin e lartë të prioritetit.

Normalisht, asgjë nuk është përfunduar derisa të arrihet qëndrueshmëria e plotë në dimensionin e tretë.

Së treti, vazhdojnë përpjekjet për ngritjen e vetëdijësimit të opinionit publik mbi këtë lloj ideologjie manipuluese, e cila deri më tash nuk ka qenë e njohur ndër ne.

Sigurisht se këtu është pjesa në të cilët institucionet dhe shoqëria kosovare duhet të fokusohen në periudhë më afat-gjate dhe më serioze. Pra, përpjekjet duhet të shumëfishohen për të qartësuar në mendjet dhe zemrat e secilit shtetas të Kosovës se e tëra është një ideologji me qëllime politike, e të cilat janë në kundërshtim të plotë me traditën tonë historike, me interesin nacional të Kosovës, si dhe me orientimin euro-atlantik të shtetit tonë.